Rama për draft statusin: Situata po bëhet alarmante, nuk mund të qëndroj spektator
Foto: Laura Hasani

Rama për draft statusin: Situata po bëhet alarmante, nuk mund të qëndroj spektator

Aktuale June 08, 2023 - 14:29

I shqetësuar për situatën që po ndodh me Kosovën për shkak të gjendjes në veri të vendit me popullsinë serbe, Kryeministri Edi Rama ka dalë me një draft-propozim për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë të posaçme për shtyp për situatën në Kosovë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se draft-propozimin e tij të hartuar me ekspertë të nivelit të lartë amerikanë dhe evropianë ja ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz.

“Dje i kam përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz një draft të asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni dhe Presidentin e KE dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës jo i Serbisë, palët nuk po merren dot vesh se kush do ta shkruajë këtë tekst. Natyrisht ky është një dokument konfidencial i cili padiskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër se asociacioni është pjesë e organizimit të jetë në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material të vlejë për të çuar në një tjetër nivel dialogun dhe t’i bëjë palët që të flasin për gjëra konkrete dhe jo që të flasin me vete dhe për vete. Arsyeja pse e ndaj sot është sepse situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë Kosovën si tkurret në sytë e atyre që e krijuan shtetin e Kosovës”.

Sipas Kryeministrit, krijimi i asociacionit në Kosovë është çelësi i zgjidhjes së kësaj situate, por dhe i njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga ato shtete të cilat nuk e kanë njohur ende, i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe i njohjes së ndërsjellë me Serbinë.

“Në kushtet kur marrëdhëniet e aleatëve me Kosovën po marrin më shumë tone ultimative dhe kur rikthimi në gjendjen e mëparshme po rrezikon të marrë një kohë më të gjatë nëse Kosova dhe lutem që të mos ndodhë, do sanksionohet për qëndrimin e saj, unë jam këtu për të ndarë me ju një fakt të panjohur deri më sot. E kam ditur me kohë kur nyja gordiane e dialogut do ishte deri në fund asociacioni dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën me lloj lloj artificash politike apo teknike. Nga ana tjetër besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në OKB dhe gjithë forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”.

Rama e sheh me shqetësim të madh situatën në veri të Kosovës.

Në një konferencë për mediat, kryeministri Rama thotë se kërcënimi Kosovës nuk i vjen nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënies me aletatët, në një nivel ku thotë se e humbura e madhe është Kosova.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama thotë se kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë.