Gati 5 muaj nga vrasja e Nysret Cenës, asnjë i arrestuar

Gati 5 muaj nga vrasja e Nysret Cenës, asnjë i arrestuar

Aktuale June 11, 2023 - 20:10

Tash e gati 5 muaj, askush nuk ka përfunduar në pranga për vrasjen e Nysret Cenës, ish-ushtarit të UÇK-së.

Për vrasjen që ndodhi në Kaçanik, e hetimet intensive që i filloi Prokuroria e Ferizajt, si dhe kohën kur lënda ka kaluar në Prokurorinë Speciale, akoma nuk dihet asgjë.

Këta të fundit nuk treguan as nëse ka ndonjë të dyshuar për rastin e Cenës, i cili dy herë ishte akuzuar për vepra të rënda, po që pati dalë i pafajshëm.

Veçse përveç këtij rasti, në Kosovë ka edhe raste të tjera që ndër vite nuk kanë marrë epilog.Ish-hetuesi policor, Halit Shaljani thotë se e rëndësishme është se hetimet vazhdojnë gjithmonë, teksa punën e vështirëson edhe mos bashkëpunimi i dëshmitarëve.

“Asnjëherë nuk ndalet hetimi, veçse është problematike gjetja e provave, të cilat do të vërtetojnë se kush është kryesi i veprës penale. Kah drejtësia është një e mirë që të hetohet sa më shumë të mblidhen provat sa më shumë që edhe aktakuza të mbështetet në prova ashtu që kur të fillojë një procedurë penale ndaj dikujt provat të flasin vetë dhe të tregojnë edhe të drejtojnë edhe aktgjykimin”, ka thënë Halit Shaljani – Ish-hetues policor.

Se institucionet nuk e kanë gjithmonë fajin e thotë edhe ish-policja e parë në Kosovë, tash avokatja Fehmije Gashi. Derisa potencon se institucionet nuk janë lehtë të manipulueshme siç thotë që është krijuar një përshtypje në Kosovë.

“Në Kosovë nuk është Prokuroria që nuk është efikase, dhe policia e thash edhe në fillim, kjo nga fakti ta marrë një shembull, është zbulu një vrasje që ka ndodhë ne vitin 1981, për motive politike dhe ekzekutori ka arritë me dalë jashtë shtetit, dhe me ndërru identitetin”, ka thënë Fehmije Gashi-Bytyqi, Avokate.

Hulumtuesi nga organizata BIRN, Kreshnik Gashi vlerëson se për dallim nga rajoni, Kosova qëndron më mirë në zbulimin e vrasjeve.Por problematike, sipas tij, mbetet fakti se autoritetet vazhdojnë të punojnë me kapacitete të limituara.

“Institucionet e sundimit t ligjit vazhdojnë me qenë me kapacitete të limituara në trajtimin serioz të disa prej ngjarjeve që kanë ndodhë në Kosovë, përfshirë këtu edhe vrasjet mirëpo nuk mujmë me thonë se nuk ka pasë sukses në këtë drejtim, pasi me krahasu me Shqipërinë ku vrasjet kriminale janë të bollshme e zbulimet e pakta, jemi shumë ma përpara si vend. Por duhemi me pasë shumë kritikë, dhe kërkesë që rastet e tilla me u zbulu e mos me mbet në arkiva”, ka thënë Kreshnik Gashi BIRN.

Nystret Cena i vrarë në janar të këtij viti, ka qenë i akuzuar edhe për shpërthimin që ka ndodhur në lokalin “Sekiraqa” në vitin 2007 në Prishtinë, si dhe ka qenë një nga tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, e cila kishte ndodhur në vitin 2007 në fshatin Soponicë të Kaçanikut./dukagjini