Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale January 25, 2024 - 08:58

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të mërkurën dëshminë e ka vazhduar dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo e kishte filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Ndryshe, më 17 janar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.