Thaçi dënohet me 17 muaj, Smakaj e Fazliu me nga 12 muaj, Kuçi një muaj me kusht e Kilaj i pafajshëm

Thaçi dënohet me 17 muaj, Smakaj e Fazliu me nga 12 muaj, Kuçi një muaj me kusht e Kilaj i pafajshëm

Aktuale November 17, 2026 - 11:04

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e ka dënuar Thaçin me 17 muaj burgim, ndërsa Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, dënimet e Smakajt dhe Fazliut janë konsideruar të shlyera dhe të dy janë liruar, transmeton Zeri.info.

Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht, i cili do të konsiderohet i kryer pas një viti, nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat kundër tij.

Sipas aktgjykimit, Thaçi u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Dënimi prej 17 muajsh do të vuhet veçmas nga çdo dënim tjetër që mund t'i shqiptohet në rastin për krime lufte. /Zëri