Kaos dhe rrezik, pasagjerët e Wizz Air-it të mbyllur në aeroplan për katër orë

Kaos dhe rrezik, pasagjerët e Wizz Air-it të mbyllur në aeroplan për katër orë

Aktuale March 26, 2024 - 15:52

“Mbrëmë ka qenë në pyetje më së shumti jeta e njeriut, sepse vështirë kemi arritur të ngopemi frymë” rrëfejnë qytetarët, të cilët ishin të mbyllur me orë të tëra në aeroplan gjatë natës së mbrëmshme.

Kjo për shkak se fluturimi prej Prishtinës në Londër i kompanisë Wizz Air, i paraparë në orën 20:50, është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkaqe të panjohura, duke shkaktuar kështu kaos dhe rrezik për shëndetin e pasagjerëve.

Të mbyllur brenda në aeroplan në Aeroportin e Prishtinës për rreth katër orë, udhëtarë nuk u servuan as me pije e ushqim, madje as tualeti nuk kishte kushte të përdorej. Të njëjtit nuk kishin asnjë informacion nga kjo kompani dhe nga aeroporti se çfarë po ndodhte me ta.Sfidë tjetër për këta qytetarë, mbetet edhe puna që kanë lënë atje, e që mund ta humbasin për shkak pamundësisë të paraqiten me kohë.

Pasagjeri Emin Krasniqi derisa tregon se si qëndruan me orë të tëra në aeroport fillimisht e më pas në aeroplan, është shprehur i shqetësuar se si kompania, si edhe aeroporti nuk kanë dhënë informacione lidhur me këtë çështje.

Ai thotë se nata e mbrëmshme ka qenë tmerruese, e më shqetësues është fakti që nuk ka marrë askush përgjegjësi deri më tani. Edhe pasagjerja Shqipe Selimi u shpreh e mllefosur me gjendjen në të cilën ndodhet. Ajo derisa thotë se po bëhen dy ditë duke u sjellë në aeroport, akuzon kompaninë për shërbime të dobëta.

Nërkaq Xhevdet Bajra, gjithashtu në pritje të fluturimit, derisa tregon për natën e mbrëmshme, thotë se kjo kompani çdoherë ka probleme me fluturime, mirëpo shton se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Përveç problemeve me fluturim, udhëtari Ekrem Halili thotë se ndonëse do të udhëtonte me nënën e tij, i është dashur që për shkak të numrit të lejuar tashmë, ajo të shtyjë për një ditë tjetër fluturimin, pasi sipas tij, janë hequr 85 udhëtarë.

Ndërkaq e pyetur për këtë çështje, zëdhënësja e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, tha se për çdo ankesë që është kundër kompanive ajrore, qytetarët apo udhëtarët duhet të drejtohen te Departamenti i Aviacionit Civil brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me kompaninë e Wizz Air-it, mirëpo të njëjtit kanë thënë se “nuk kanë ide se çfarë do të ndodhë me fluturimin”.