Vdekja e ish-senatorit Lieberman, Haradinaj: Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë
Foto: Laura Hasani

Vdekja e ish-senatorit Lieberman, Haradinaj: Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë

Aktuale March 28, 2024 - 08:40

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes së ish-senatorit, Joseph Lieberman.

Haradinaj u shpreh se Kosova humbi një mik të shquar, mbështetësin e madh në përpjekjen për liri.

“Kosova humbi një nga miqtë e saj të shquar, ish-Senatorin amerikan nga Partia Demokratike Joseph Lieberman, mbështetës i madh yni në përpjekjet për liri, zë i fuqishëm i luftës sonë të drejtë”, shkroi Haradinaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Më tutje ish-kryeministri u shpreh se ndaj ish-senatorit Lieberman shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës.

“Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë senatorit Lieberman, i cili së bashku me John McCainin përkrahu presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë, fushatë e cila u ndërmor me sukses nga NATO-ja, e udhëhequr nga SHBA-ja”.