Gashi nga Asambleja Parlamentare: Kosovës tepër gjatë i është mohuar vendi i merituar në Evropë

Gashi nga Asambleja Parlamentare: Kosovës tepër gjatë i është mohuar vendi i merituar në Evropë

Aktuale April 16, 2024 - 19:34

Deputeti i Republikës së Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Kosovës i është mohuar tepër gjatë vendi i merituar në Evropë.

Gashi, në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare ka deklaruar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk është çështje vetëm e rëndësisë politike për Kosovën, është çështje e një imperativi moral për të gjithë që ata kanë besuar në parimet e demokracisë e të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës

“Çështja këtu nuk është vetëm thjesht anëtarësimit, është çështje e njohjes, solidaritetit dhe parimeve themelore që na bëjnë bashkë si anëtar të familjes evropiane. Tepër gjatë Kosovës i janë mohuar, i është mohuar vendi i merituar në Evropë. Tepër gjatë populli ka vuajtur nga mungesa e dinjitetit nga përjashtimi, nga padrejtësia, këtu qëndron para jush si të barabartë, të gatshëm marrim vendin tonë të merituar në komunitetin e shteteve”, u shpreh Gashi.

“Është njohje e progresit që kemi arritur me ndërtimin e institucioneve demokratike, promovimin e të drejtave të qytetarëve tanë”.

Ai, shton se rrugëtimi i Kosovës nuk përfundon ende, pasi sipas tij, po ballafaqohet ende me sfida.

“Rrugëtimi ynë nuk përfundon ende, ende ballafaqohemi me sfida, pengesa e kundërshtarë që përpiqen ta shkelin progresin tonë, që ta minojnë ekzistencën tonë, mbesim të përkushtuar në shtegun tonë drejt lirisë, vlerat e tolerancës e dinjitetit, dhe vizionit të Kosovës që është e lirë dhe demokratike”.

“Ju inkurajoj që të votoni në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm të afirmojmë përkushtimin tonë për demokracinë dhe të demonstrojmë solidaritetin tonë me popullin e Kosovës, derisa përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të mirë me ne”. /klankosova