“99 gra të vrara nga koha e çlirimit”, Haxhiu shpalos mekanizmat

“99 gra të vrara nga koha e çlirimit”, Haxhiu shpalos mekanizmat

Aktuale April 18, 2024 - 12:10

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë ka përmendur mekanizmat institucional të cilat i ka ndërmarrë bashkë me akterët relevantë për parandalimin e rasteve të ardhshme të dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda më pak se një jave nga bashkëshortët e tyre dhe raportimit alarmant të rasteve të dhunës në familje në javët e fundit.

Haxhiu ka thënë se ndaj rasteve të dhunës në familje duhet përgjigje e duhur institucionale dhe jo e prirur nga mentaliteti patriarkal. Ajo ka njoftuar se në takimin ndërministror mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Policisë së Kosovës e përfaqësuesve nga sistemi i drejtësisë janë dakorduar për rishikimin e Kodit Penal për rastet e dhunës në familje si dhe rishikimin e ligjit në raport me armëmbajtjet pa leje.

“Obligimet për institucionet e drejtësisë janë që të adresohet lëshimi në procedurë të rregullt në rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje, po ashtu të lëshohet udhëzim detyrues nga Kryeprokurori për të gjithë prokurorët e angazhuar në këto raste”, ka thënë ajo.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës urgjentisht të hap pozitat për shtimin e numrit të mbrojtjes së viktimave. I kemi vetëm 22 për tërë territorin e Kosovës. Gjykata Supreme të lëshojë udhëzues për politikën ndëshkimore në raport me këto fenomene, Këshilli Gjyqësor i Kosovës të adresojë rastet e dënimeve nën minimumin e saj çka parasheh Kodi Penal për rastet e dhunës në familje dhe të merr masa ndaj gjyqtarëve që kanë gjykuar në kundërshtim me ligjin në fuqi”, ka vazhduar Haxhiu.

Tutje Haxhiu ka thënë se kur nuk ka veprime të duhura institucionale, dhunuesit po shndërrohen në vrasës.

“Kosova që nga koha e çlirimit ka 99 gra të vrara, 64 prej tyre janë vrarë nga burrat e tyre. Bazuar në databazën në kuadër të MD-së kemi mbi 200 raste që raportojnë çdo muaj për dhunë në familje”, ka thënë Haxhiu.