Çitaku: Thaçi do të mbahet mend si kryeministër i pavarësisë, Kurti si i autonomisë për veriun

Çitaku: Thaçi do të mbahet mend si kryeministër i pavarësisë, Kurti si i autonomisë për veriun

Aktuale April 19, 2024 - 12:21

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka folur për marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar para 11 vjetësh.

Çitaku ka thënë se Kurti u kështë rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015, ato që numri dy i partisë së tij, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.

Ajo ka thënë se ish-kryeministri Hashim Thaçi do të mbahet mend si kryeministër i pavarësisë, ndërsa Kurti i autonomisë politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”.

“Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si kryeministri i Pavarësisë së Kosovës”.

“Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës”, ka shkruar Çitaku. /Zëri

Shkrimi i plotë:

Kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.

Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me Presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri.

Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeministri i Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës.

Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë.

Ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, s’kemi çfarë të themi.

Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institucionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit.

Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak.

Dielli do të lindë përsëri