Sot mblidhen shtatë komisione parlamentare

Sot mblidhen shtatë komisione parlamentare

Aktuale April 23, 2024 - 09:48

Sot në Kuvendin e Kosovës pritet që shtatë komisione parlamentare të mbajnë mbledhjet e rregullta të tyre.

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport do të shqyrtojë vendimin e Qeverisë për miratimin e Statutit të ri të Universitetit Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të shqyrtojë raportin me amendamente të Projektligjit për regjistrin e pronarëve përfitues, si dhe shqyrton Projektrezolutën për raportin vjetor të Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, për vitin 2022.

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të shqyrtojë Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave me raport amendamente të Komisionit funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione do të takohet me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe të Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Zhdukur, ku të ftuar janë edhe Andin Hoti dhe Ahmet Grajqevci.

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim do të shqyrtojë kërkesën e banorëve të “Toukbahçes” në Prishtinë rreth tjetërsimit të disa burimeve ujore.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do t’i shqyrtojë disa projektligje. Ata po ashtu do të formojnë edhe grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Administrative.

Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të takohet me Komisionin për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje të Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë. /EO