Ambasada Britanike për zgjedhjet në veri: Bojkoti, pengesë për demokracinë
Foto: Laura Hasani

Ambasada Britanike për zgjedhjet në veri: Bojkoti, pengesë për demokracinë

Aktuale April 23, 2024 - 12:53

Ambasada e Britanisë së Madhe, në një përgjigje për RTK-në, është deklaruar se ndien keqardhje për vendimin e Listës Serbe për të bojkotuar për zgjedhjet pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve në veri.

“Na vjen keq për vendimin e Listës Serbe dhe një numri politikanësh të pavarur serbë të Kosovës për të bojkotuar votat e djeshme për tërheqjen e kryetarëve të komunave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas kësaj ambasade, bojkoti është pengesë për demokracinë.

“Bojkoti është një pengesë për demokracinë përfaqësuese. Megjithatë, votat u zhvilluan në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me ligjin. Rezultatet nënkuptojnë se katër kryetarët e komunave do të vazhdojnë t'i shërbejnë mandatet e tyre dhe ne i nxisim ata të kryejnë detyrat e tyre, duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e komuniteteve të tyre”, ka thënë Ambasada e Britanisë së Madhe.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e katërt me radhë, tha se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar.

Sipas KQZ-së, në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674, ose 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877, ose 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796, ose 0.59%.