Sami Kurteshi thotë se nuk ka përdorur forcë fizike ndaj të dëmtuarit në selinë e KQZ-së
Foto: Laura Hasani

Sami Kurteshi thotë se nuk ka përdorur forcë fizike ndaj të dëmtuarit në selinë e KQZ-së

Aktuale April 23, 2024 - 18:19

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, në rastin ku po akuzohet për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së, ka thënë se nuk ka përdorur forcë fizike në kuptim të dhunës ndaj të dëmtuarit, por vetëm e ka shtyrë nga mbrapa.

“Jo, nëse kjo është përdorim force atëherë po (demonstron me duar duke lëvizur dokumentet që mban në duar), por përdorim të forcës në kuptimin e përdorimit të dhunës jo”, tha Kurteshi.

I akuzuari Kurteshi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka treguar për ditën kritike që ka ndodhur më 25 gusht 2021, në të cilën ditë ai tha se në KQZ ka pasur një mbledhje të Komitetit të Auditimit, ku i njëjti është kryesues.

Në momentin kur kishte hyrë në korridor të selisë së KQZ, Kurteshi tha se kishte parë një person tek aparati i kafes i cili kishte qenë pa maskë (në kohën e pandemisë).

“Edhe nuk e kom njoft vetëm e kam pyet “djalo ku e ki maskën” kjo ka qenë pyetja e vetme, edhe herën e parë nuk është përgjigjur, herën e dytë i kom thonë “djalo ose vendose maskën ose dil jashtë”, tha tutje Kurteshi.

Sipas tij, kjo ishte një kërkesë në rrethanat kur vdisnin nga 30 persona në ditë prej pandemisë, ndërsa shtoi se i dëmtuari Berisha i ishte përgjigjur të njëjtit me fjalët “as se vendosi as s’dal jashtë”.

Më pas, ai tha se të njëjtit i kishte bërtitur për të dëgjuar edhe të tjerët me fjalët “ti del jashtë tash menjëherë”.

“Edhe kom shku e kom shty nga mbrapa të dëmtuarin… e kom ofru deri tek dera nuk ka rezistu asnjë fjalë nuk e ka fol, as se kom shty me forcë, as si kom mshu, as nuk e ka thënë ndonjë fjalë fyese, edhe e kom ofru deri tek dera e daljes”, deklaroi Kurteshi.

I njëjti tha se nuk e ka sharë e as fyer, pasi që kjo nuk është as natyrë e tij si person.

Pastaj, ai tha se kishte hyrë në mbledhjen e lartcekur, por shtoi se në ato mbledhje nuk shërbehet kafe por vetëm ujë.

“Krejt kjo që e përshkrova unë ka ngja më pak se një minutë për të cilin jemi tu sill qe tre vjet”, shtoi ai.

Sipas tij, detyrë e tij në KQZ është të marrë vendime dhe në mesin e vendimeve është edhe largimi i personave nga institucioni për shkak të mos vendosjes së maskës.

“Në zyrën time s’ka mund me hi njeri gjatë kohës së pandemisë pa maskë”, tha tutje i njëjti.

I pyetur nga i dëmtuari Berisha, se a ka pasur diçka personale prej fillimi i akuzuari me të, Kurteshi tha se as që e ka njohur më parë atë.

Paraprakisht, në këtë seancë janë dëgjuar edhe dy dëshmitarë Kastriot Mustafa dhe Shkëmb Krasniqi, të cilët deklaruan se kishin qenë disa metra afër ngjarjes.

Të dy deklaruan se mbesin në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Stacion Policor më datë 25 gusht 2021, ndërsa për të gjitha detajet ata tha se nuk kujtohen pasi që ka kaluar kohë pak më e gjatë.

Dëshmitari Mustafa ka thënë se tani i dëmtuari Berisha atë ditë ka qenë tek aparati i kafes kur më pas kishte ardhur i akuzuari Kurteshi i cili sipas tij kishte filluar të bërtas për shkak të mos vendosjes së maskës.

“Është hi zotëriu në fjalë edhe ka fillu me bërtit, ka shah edhe duke e detyruar që të dal jashtë me forcë”, tha Mustafa.

Konkretisht, sipas tij i akuzuari Kurteshi i kishte thënë të dëmtuarit “qetash ju kallzoj kush jom unë, dilni krejt jashtë, 

keni me pa ju qetash”.

Pas këtyre fjalëve, ai tha se i akuzuari e ka shtyrë të dëmtuarin me dy duar në shpinë për ta larguar jashtë.

“Do me thanë me dy duart mbrapa shpinës u munu si me kap me qit jashtë, e ka shty njerin…goditje saktë nuk mund të them, por shtyrje po”, tha dëshmitari Mustafa.

Edhe dëshmitari Krasniqi këtë incident e ka quajtur shtyrje duke mohuar se ka pasur goditje.

Sipas tij, sulmi fizik nga i akuzuari Kurteshi kundrejt të dëmtuarit Berisha ka ndodhur për shkak të mos vendosjes së maskës në kohë pandemie, por sipas tij, i dëmtuari maskën e ka pasur të vendosur nën mjekër.

Po ashtu, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale të propozuara nga prokuroria, ndërsa gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj refuzoi propozimin e Kurteshit për dëgjimin e dy dëshmitarëve të ri.

Në seancën e radhës, pritet të jepet fjala përfundimtare.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person. /BetimipërDrejtësi