Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishi
Foto: Laura Hasani

Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishi

Aktuale April 30, 2024 - 14:15

Prokuroria Speciale e ka ftuar në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Lajmin e ka bërë të ditur Durmishi, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se e kanë ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

“Dëshiroj të ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga Prokuroria Speciale për intervistë me datën 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorëzuar në prokurori speciale para gati tre vjetësh. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit”, shkroi Durmishi.

Ai gjithashtu ka thënë se si Prokuroria Speciale fton një zëvendësministër për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik.

Durmishi po ashtu tha se më datë 8 maj do të shkojë në Prokurori Speciale për t’u treguar që është i lumtur që është nënshkrues i kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.