UD i kryeprokurorit të Shtetit dhe shefi i Misionit të EULEX-it diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

UD i kryeprokurorit të Shtetit dhe shefi i Misionit të EULEX-it diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

Aktuale April 30, 2024 - 14:35

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim pune shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi UD i kryeprokurorit të Shtetit dhe shefi i Misionit të EULEX-it kanë zhvilluar diskutime të frytshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

"Konkretisht në këtë takim u diskutua edhe për mbështetjen e EULEX-it në ruajtjen e pavarësisë institucionale, si dhe ecurinë dhe sfidat në zbatimin e deklaratës së përbashkët të zotimit lidhur me reformën në drejtësi", thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës dhe mbarëvajtjes së punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicës pas ofrimit të dorëheqjeve të prokurorëve të nacionalitetit serb.

"Bashkëbiseduesit patën diskutime edhe për luftimin e veprave penale që ndërlidhën me pastrimin e parave, nevojën për rritjen e numrit dhe mbështetjes për mbrojtësit e viktimave të krimit, si dhe çështje të tjera profesionale me interes të përbashkët".

"UD i kryeprokurorit Kelmendi ka vlerësuar rolin, përkushtimin dhe mbështetjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhënë në vazhdimësi për institucionin e Prokurorit të Shtetit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së sukseseve të përbashkëta", thuhet në njoftim.

Image