Mbi 100 punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda tetë vjetësh në Kosovë

Mbi 100 punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda tetë vjetësh në Kosovë

Aktuale May 01, 2024 - 08:57

Nga viti 2016 deri në vitin 2023 janë raportuar 1700 aksidente në vendin e punës, nga të cilat 102 kanë rezultuar me fatalitet, kështu thuhet në raportin e Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Lirika Bakija, këshilltare ligjore në ATRC, ka thënë se në këto raste kanë gjetur vonesa në hetime dhe ngritje të aktakuzave nga institucionet përkatëse, duke çuar kështu në procedura gjyqësore të zvarritura.

Sipas saj, Gjykatat Themelore në vend vonojnë shumë në trajtimin e rasteve penale të lidhura me aksidentet në punë, të cilat pastaj edhe rezultojnë me dënime të lehta për punëdhënësit.

Ajo ka thënë se aktakuzat e ngritura nga  Prokuroria janë shumë të dobëta dhe të cekta, e që sipas saj këto janë arsyet pse shumë punëtorë lënë vendin e punës për shkak të pasigurisë ligjore.

“Raporti ka qenë i fokusuar kryesisht në sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ne jemi fokusuar në aspektin e institucioneve se sa po e kryejnë punën e tyre, duke përfshirë këtu Inspektoratin e Punës, Gjykatën, si dhe Prokurorinë në trajtimin e rasteve apo lëndëve të cilat janë më të ndjeshme apo aksidentet fatale, apo lëndimet e rënda në vendin e punës”.

“Sipas gjetjeve të këtij raporti, Gjykatat Themelore në përgjithësi vonojnë shumë në trajtimin e lëndëve, të cilat kanë për qëllim trajtim e këtyre lëndëve për nga aspektin penal. Gjithashtu edhe Prokuroria ngrit aktakuza të cilat janë shumë të dobëta dhe të cekta për ngritjen dhe zhvillimin e procedurës më pas në gjykatë dhe rrjedhimisht me pas ndodh që të kemi dënime shumë të lehta për punëdhënësit, këtë rast kompanitë. Kjo vërehet sidomos tek rastet e kompanive ku ka pasur vdekje të personave ku aktakuzat janë ngritur me vonesë, hetimet kanë filluar me vonesë, më pas edhe lëndë kur është përcjellur në Gjykatë ka qenë e mangët për nga aspekti i provave, si dhe dënimet të cilat u janë shqiptuar punëdhënësve kanë qenë shumë të dobëta apo të buta karshi kodit penal, i cili parasheh dënime maksimale 10 deri në 12 vjet me burgim në rast që ka vdekje”, ka thënë ajo.

Bakija ka thënë se në vitin 2023 nga 463 lëndë në Gjykata vetëm 88 prej tyre kanë marrë një epilog përfundimtar në gjyqësor, duke treguar për një mungesë efikasiteti.

Ajo ka theksuar se kjo ka ndikim negativ tek punëtorët, të cilët mund të hezitojnë të ndjekin procedurat gjyqësore për shkak të zvarritjeve dhe kohëzgjatjes së madhe.

“Nga raporti të cilin e kemi realizuar sa i përket punës së gjyqësorit, vetëm 20 për qind e rasteve të punës kanë marrë epilog përfundimtar edhe është nxjerrë aktgjykim për ato lëndë. Ku prej 463 lëndëve vetëm 88 janë zgjedhur e që tregon shumë për gjyqësorin në kuptimin që punëtorët në njëfarë forme, nga numrin i ulët i këtyre rasteve që zgjidhen mandej edhe këta në një farë forme stopohen edhe nuk e shohin të arsyeshëm të dërgojnë lënde në Gjykatë për shkak të zvarritjeve dhe kohëzgjatjes shumë të madhe që ju bëhet”, është shprehur ajo.

Bakija ka theksuar se situatë më e keqe qëndron në sektorin e ndërtimtarisë dhe të prodhimit, ku sipas saj, kompanitë kryesisht nuk janë duke respektuar ligjin e punës, nuk bëjnë vlerësime të rrezikut në vendin e punës e nuk i pajisin punëtorët me mjete mbrojtëse.

“Kushtet kryesisht me të këqija janë për punëtorët e ndërtimit, gjithashtu edhe të prodhimit. Kompanitë kryesisht nuk janë duke respektuar Ligjin e punës, nuk bëjnë vlerësime te rrezikut në vendin e punës, nuk i pajisin punëtorët me mjete mbrojtëse, të cilat do të duheshin që t'i ofronin edhe janë të obliguar karshi ligjit që të ju ofrojnë këtyre punëtorëve pajisjet e punës si dhe në një farë formë t'i mbikëqyrin se a janë duke i përdorur ato pajisje. Mosposedimi i këtyre pajisjeve rrjedh që më pas kemi lëndime edhe vdekje. Punëdhënësi është i obliguar që të kërkojë nga punëtori që të kryejë kontrolle mjekësore dhe t'ia dëshmojë me certifikata mjekësore që punëtori është i aftë ta kryejë atë punë edhe është i aftë të hypë në një lartësi të lartë të punojë”.

“Që nga viti 2016 e deri në fund të viti 2023 janë 1700 aksidente dhe prej tyre 102 janë më fatalitet, trendi vazhdon që të ketë rritje të vdekjes në vendin e punës. Muajt e verës janë kryesisht muajt ku punëtorët janë më të rrezikuar që të vdesin në vendin e punës për shkak të temperaturave të larta”, ka thënë ajo.

Këshilltarja ligjore në ATRC ka thënë se ndër sfidat me të cilat janë duke u përballur punëtorët është mungesa e kontratave, mungesa e pushimeve vjetore dhe pushimit të lehonisë, e po ashtu sipas saj shumë gra ndihen të rrezikuar për të humbur punën në rast të shtatzënisë, duke theksuar nevojën për mbrojtje ligjore të tyre në këto raste.

“Në përgjithësi siguria dhe shëndeti në punë është në nivel jo të kënaqshëm, zbatimi i ligjit të punës por gjithashtu edhe zbatimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë mbetet sfidë për punëdhënësit. Si dhe për Qeverinë që ta monitorojë zbatimin e këtyre dy ligjeve. Sfidë tjetër është që vazhdon që të ketë shumë punëtorë të cilët nuk janë të pajisur me kontrata edhe rrjedhimisht mandej edhe në gjykata po hasin në veshtersi në trajtim e këtyre lendeve. Tjetër çka është më shumë rëndësi është edhe aspekti që Inspektoriat i Punës vitin e kaluar ka shtuar numrin e inspektoreve. Gjetje kryesore është që Gjykata dhe Prokuroria lëndët të cilat kanë të bëjnë me të drejtën e punës nuk janë duke i trajtuar me seriozitet dhe efikasitet. Kjo është njëra edhe nga arsyet se pse shumë punëtor po e lënë vendin, për shkak të pa sigurisë ligjore të cilën ata ata e kanë realisht që nga momenti kur hynë në vendin e punës. Pastaj pushimet vjetore të cilat janë duke ju mohuar sidomos sektorit privat. Mandej janë pushimi i lehonisë edhe kjo është një sfide në vetvete ku shumë punëtore ferma në momentin që e kuptojnë që janë shtatzëne ndihen të rrezikuara që punëdhënësi do t'i largojë nga puna që në fakt edhe ashtu ndodh në shumicën e rasteve”, ka thënë ajo për EO-në.