Komisioni për Legjislacion planifikon ta vizitojë Akademinë e Drejtësisë

Komisioni për Legjislacion planifikon ta vizitojë Akademinë e Drejtësisë

Aktuale May 07, 2024 - 12:26

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur këtë të martë mbledhjen e radhës, në të cilën u miratua propozimi për vizita në institucione dhe agjenci të ndërlidhura me këtë Komision.

Në rend dite ishin:

1. Shqyrtimi i Raportit me amendamente në Projektligjin nr. 08/L-256 për falimentimin;

2. Shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr. 08/L-261 për mbrojtjen nga zjarri;

3. Planifikimi i vizitave në institucionet dhe agjencitë që bien në fushëveprim të Komisionit për Legjislacion;

4. Te ndryshme.

Driton Selmanaj tha se vizita në Agjencinë për Verifikim nuk e di nëse do të ishte vizitë e mirë, ndërkaq për të tjerat po, si ato të burgjeve dhe qendrave të paraburgimit, që sipas tij janë lidhura me funksionimin, si në Dubravë.

Sipas tij, është mirë me i pa kushtet e burgjeve, ushqimet, vendi, tualeti etj.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha propozoi që bëhet vizitë në Akademinë e Drejtësisë.

“Të martën, pas mbledhjes të bëjmë vizitë në Akademinë e Drejtësisë si vizitë jashtëzakonisht e nevojshme, dhe e dyta mundemi edhe me shqyrtu ligjin edhe me monitoru”, ka thënë ai, raporton eo.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, propozoi të bëhet vizitë në Burgun e të Gjilanit.

“Pas raportit të DASH-it duhet që përveç vizitës në paraburgim t’i vizitojmë edhe burgjet, e të bisedojmë me të burgosurit. Beqa propozoi vizitë në burgun e të Gjilanit me shiku çka ka bërë qeveria e cila po synon t’i japë hua një shteti tjetër”, ka thënë Beqa.

Basha tha se ka një raport të cilin mund t’ua dërgojë anëtarëve të Komisionit për vizita në vende të ndryshme të ndërlidhura me këtë Komision.

Deputetja, Blerta Deliu përmendi raportin e DASH-it, në veçanti dhunën në familje, ligjin për të, dënimet e gjykatave, mbrojtjen e viktimave, sfidat e gjyqësorit dhe veprimit ministrisë së Drejtësisë. Deputeti Artan Abrashi tha se çuditet me raportin e DASH-it nëse krahasohet Kosova me vendet e rajonit.

Si përfundim u vendos që të martën, pas mbledhjes, të realizohet vizitë në Akademinë e Drejtësisë.