Përbërja e ulëseve të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës
Edhe në këto zgjedhje, partia më e madhe e minoriteteve po del të jetë Lista Serbe me 41 mijë e 823 vota apo 4.78%.
Me këtë përqindje kjo parti politike, ka marr nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës nga 10 sa i kanë të garantuara partitë e komunitetit serb.
Në konferencën pas publikimit të rezultateve preliminare përpos falënderimit ata prapë iu referuan shtetit të Kosovës siç e njeh Serbia.
“Dua të falënderoj popullin serb në territorin e të gjithë Kosovës dhe Metohisë, i cili edhe një herë tregoi harmoni, unitet, qëndroi pranë Serbisë, pranë Listës së tij serbe dhe, besoni ose jo, na dha 90.06 përqind të votave”, ka thënë Zlatan Elek – Lista Serbe.
Por, megjithatë, përsëri mandatin e 10 të garantuar të serbëve, sipas numërimit të deritanishëm, do ta fitoj partia tjetër serbe e Nenad Rashiq-it “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” që deri tani ka 4,715 vota.
Në një postim në Facebook, partia që ka përkrahur Kurtin me votë në Kuvend, thanë se kjo mbështetje i obligon të ngulmojnë në luftën për liri.
“Vazhdojmë tutje, së bashku me ju, të vendosur që ta mbrojmë zërin tuaj, tani dhe përmes institucioneve, dhe ta përkthejmë në rezultate konkrete. Këtë besim e perceptojmë si nder të madh, por edhe si obligim për të qenë edhe më të fortë, më të pranishëm dhe akoma më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve”- Partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”
Në 10-shën tjetër të përbërjes së Kuvendit që poashtu i takon partive të komuniteteve joshumicë në Kosovë me vota prinë partia turke, KDTP që ka arritur të siguroj dy vende në Parlament me 5342 vota apo 0.61%.
Ndërkohë, tri parti boshnjake kanë arritur të marrin nga një mandat secila. Koalicioni Vakat i udhëhequr nga Rasim Demiri, SDU e Duda Baljes e NDS-ja e Emilja Rexhepit.
Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës e Elbert Krasniqit dhe Partia Liberale Egjiptian e Veton Berishës poashtu nga një mandat, aq sa ka edhe LPRK, PSA dhe JGP./dukagjini