Zgjedhjet e 28 dhjetorit vlerësohen të qeta dhe demokratike
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet e 28 dhjetorit vlerësohen të qeta dhe demokratike

Aktuale December 29, 2025 - 21:20

Me të shënuar ora 07:00 e mëngjesit, u hapën pothuajse të gjithë Qendrat e Votimit.

Qytetarët e Kosovës ia mësyen vendvotimeve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të ardhshëm.

Temperaturat e ulëta nuk i ndalën ata të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës që në mëngjes.

Megjithatë për disa probleme teknike, 3 për qind të vendvotimeve u hapën me vonesë.

E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me konferencën e parë, ku zëdhënësi tregoi se në orën e parë i gjithë procesi ka shkuar në mënyrë të rregullt.

Gjatë paradites, edhe kandidatët për kryeministër votuan në vendvotimet e tyre, ku iu bënë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ushtrojnë këtë të drejtë.

Siç ndodhë në çdo proces zgjedhor, edhe këtë herë Policia e Kosovës ishte në krye të detyrës për të ofruar siguri.

Në të gjithë rajonet, eprorë e përfaqësues të tyre në prononcime për media u shprehën se nuk janë regjistruar incidente që prishin procesin zgjedhor.

Edhe nga Prokurori i Shtetit u bë e ditur se ishin të gatshëm por që nuk ka pasur persona të ndaluar.

E sipas KQZ-së, deri në orën 11:00 dolën për të votuar 8.27% apo 165 mijë e 404 qytetarë.

Me kalimin e orëve, edhe numri i qytetarëve që dolën për të votuar u rrit.

Ata u shprehën se presin përfaqësim më të mirë për ta nga fituesit e këtyre zgjedhjeve.

Edhe mungesa e energjisë elektrike ishte problem në 6 qendra të votimit.

Si të qetë procesin e vlerësoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një lidhje direkte në tëvë1.

Ndërkaq, pasditja e 28 dhjetorit shënoi edhe një rritje të interesimit për të dalë në zgjedhje.

Sipas Demokracisë në Veprim, rendi i pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje ka shënuar rritje dhe se procesi në përgjithësi po rrjedh i qetë.

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 18:00 ka arritur në 38.52%. Nga gjithsej 1,999,204 votues të regjistruar, kanë votuar 770,079 qytetarë.

E në orën 19:00 u mbyllën edhe të gjitha Qendrat e Votimit, ku sipas të dhënave morën pjesë 899 mijë e 517 qytetarë.

Pas mbylljes nisën edhe reagimet e para, ku kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se ruajtja e vullnetit të shprehur nga qytetarët është esenciale.

Rezultatet e preliminare të KQZ-së, fituese e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje.

Andaj, festa e simpatizantëve të kësaj partie filloi pothuajse në të gjitha qytetet.

Me fishekzjarre e tupane, qendrat e qyteteve u mbushën me njerëz.

Në konferencë doli edhe Kurti i cili tha se kanë regjistruar fitoren më të madhe ndonjëherë.
13.57% nuk ishte një rezultat i pritshëm për LDK-në. Andaj, kreu i saj, Lumir Abdixhiku, deklaroi se si parti do të reflektojnë.

Festa para selisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje vazhdoi deri në orët e vona.

Sipas rezultateve preliminare, u bë e ditur se LVV mori 431 mijë e 442 vota apo 49,30 për qind, PDK 183 mijë e 826 vota apo 21.00 përqind, LDK me 118 mijë e 772 vota apo 12, 57 për qind, AAK me 49 mijë e 675 vota apo 5.68 për qind.