Analistët: Formimi i qeverisë i mundshëm, zgjedhja e presidentes çështje kyçe
Foto: Laura Hasani

Analistët: Formimi i qeverisë i mundshëm, zgjedhja e presidentes çështje kyçe

Aktuale December 31, 2025 - 08:45

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare, duke siguruar numrin më të madh të votave dhe duke krijuar mundësinë për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, përkundër avantazhit numerik për ndërtimin e ekzekutivit, sfida kryesore pritet të shfaqet në procesin e zgjedhjes së presidentes, ku nevojitet konsensus më i gjerë politik për të shmangur një ngërç institucional.

Analistët politikë vlerësojnë se pikërisht ky proces mund të shndërrohet në sfidën kryesore institucionale, duke theksuar se pa marrëveshje politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, zgjedhja e Presidentes mund të krijojë tensione dhe rrezik për ngërç politik.

Analisti politik, Arton Demhasaj ka deklaruar për “Front Online” se bazuar në rezultatet aktuale zgjedhore, Albin Kurti ka mundësi ta formojë qeverinë e re me mbështetjen e pakicave jo-serbe.

Megjithatë, sipas tij një skenar i tillë mund të prodhojë ngecje politike në fazën e zgjedhjes së presidentit.

“Bazuar në numrat aktual që i ka Kurti mundet me e zgjedhë Qeverinë me pakicat jo-serbe, por pastaj mundet me pas ngecje te zgjedhja e presidentit”, tha ai.

Demhasaj ka thënë se për të shmangur një ngërç institucional, është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike.

Ai thotë se nëse ka një ofertë të qartë politike, ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mes partive.

“Për të mos pasur ngërç politik, duhet me pas marrëveshje politike për presidentin. Në rast se oferta do të jetë e sinqertë, dhe duhet të jenë serioze dhe jo ofenduese sikurse në të kaluarën. Nëse ka ofertë të qartë e që bazohet edhe tek numrat, atëherë do të ketë marrëveshje politike”, ka deklaruar Demhasaj.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë se formimi i Qeverisë së re nuk pritet të jetë problematik për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me pakicat nuk do të jetë telashe krijimi i Qeverisë, por çështja është tek presidenti”, u shpreh ai.

Sipas tij, telashi kryesor pritet të paraqitet në procesin e zgjedhjes së presidentes.

“Nuk dihet a do i takoj Presidenti opozitës me një marrëveshje apo do të jetë Vjosa Osmani e propozuar, por opozita nuk do të pranoj për faktin se do të shndërrohej vendi në autokraci pasi VV do i kontrollonte tri pozitat më të larta. Pas kësaj Kurti do të ishte edhe shef i partisë, i Qeverisë, i Policisë por edhe i Presidentit”, thotë Sadiku.

Eksperti i çështjeve politike në Kosovë, Fitim Mulolli është shprehur se nuk ka më hapësirë për bllokadë institucionale pas rezultateve zgjedhore, pasi ekzistojnë vota dhe ulëse të mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

“Tashmë më s’ka arsye me pasur bllokadë sepse ka vota të mjaftueshme dhe ulëse të mjaftueshme në Kuvend që 5 ose 6 anëtar të komuniteteve e formojnë Qeverinë e re. Fare lehtë do arrihet numri i 61 deputetëve për formimin e Qeverisë”, ka thënë Mulolli.

Ai ka shtuar se as procesi i zgjedhjes së presidentit nuk pritet të jetë problematik.

“Edhe për presidentin nuk ka me pasur nevojë ndonjë konsultim sepse prapë e ka shumicën e tretë në rundin e tretë dhe opozita nuk e ka luksin me lëshua sallën në zgjedhjen e Presidentit, por a votojnë pro apo kundër, varet edhe propozimi se kush do të jenë president”, është shprehur ai.