Ku na la viti 2025, sipas statistikave?
Edhe pse gjatë vitit 2025 politikanët promovuan statistika që e nxirrnin Kosovën si vend që kryesonte matjet globale për përmirësim të mirëqenies dhe si një nga vendet më të sigurta në Evropë, të dhëna të tjera nxjerrin në pah një realitet krejt tjetër.
Për shembull, sipas statistikave të mbledhura nga platforma Coverge2EU, e cila ndjek gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, Kosova vazhdon të mbetet prapa shumicës së vendeve të rajonit në shumë fusha.
Kosova, më së largu ekonomisë së BE-së në rajon
Ekonomia e Kosovës mbetet larg mesatares së Bashkimit Evropian. Në vitin 2024, prodhimi i saj i përgjithshëm ishte vetëm rreth 25.73% i mesatares së BE-së, duke e vendosur Kosovën pas të gjitha vendeve të tjera të rajonit në këtë tregues.

Ngjashëm, edhe sa i përket bruto prodhimit vendor (BPV) për kokë banori, Kosova mbetet prapa vendeve të rajonit dhe mesatares së BE-së.

Përveç ekonomisë, Kosova renditet e fundit ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, edhe në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë. Dhe jo vetëm kaq.
Kosova, e fundit në rajon për burime të ripërtëritshme të energjisë
Shqipëria dhe Mali i Zi e kalojnë dukshëm mesataren e Bashkimit Evropian në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Në skajin tjetër, Kosova mbetet ende larg këtij standardi.

Por, është një kategori ku Kosova lë prapa jo vetëm shtetet e rajonit, por edhe mesataren e Bashkimit Evropian: qasja në internet.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 99 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet.
Përdoruesit më të shpeshtë të internetit janë të rinjtë e grup-moshës 16 deri në 24 vjeç.
Të dhënat e publikuara nga zyra e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë këtë vit, tregojnë se pikërisht fushat e shkencave kompjuterike dhe matematikore, shihen si me më së shumti perspektivë nga të rinjtë e Kosovës.
Megjithatë, kjo nuk e ndalon shumicën e të rinjve që ende të synojë një jetesë jashtë Kosovës.
Vetëm një në katër të rinj nuk sheh të ardhme jashtë Kosovës
Rreth 72 për qind e të rinjve në Kosovë e shohin veten, në nivele të ndryshme, me një të ardhme jashtë vendit. Të pyetur se sa e fuqishme është dëshira e tyre për t'u larguar nga Kosova, vetëm 28 për qind thanë se nuk synojnë të emigrojnë.

E, çka tjetër mendojnë të rinjtë?
Grafikat e mëposhtme ju sjellin një përmbledhje:
Vlerat që të rinjtë e Kosovës kërkojnë kur zgjedhin një partner
Për të rinjtë e Kosovës, elementi më i rëndësishëm kur zgjedhin një partner është prejardhja etnike, e ndjekur nga përkatësia fetare.

Kë nuk do ta donin për fqinj të rinjtë e Kosovës?
Vetëm 9 për qind e të rinjve në Kosovë thonë se do të ndiheshin mirë ose shumë mirë nëse një person nga komuniteti LGBTI+ (lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, etj.) do t’u bëhej fqinj. Në anën tjetër, niveli më i lartë i pranueshmërisë shprehet ndaj personave me përkatësi fetare myslimane.

Në Kosovë, mbi gjysma (52.8%) e popullsisë 15 vjeç e sipër flasin vetëm gjuhën shqipe. Në anën tjetër, më pak se 4% flasin tri gjuhë të huaja ose më shumë.
Kush flet më shumë gjuhë të huaja në Kosovë?
Nga 38 komunat e Kosovës, Mitrovica e Veriut ka një përqindje më të lartë të popullsisë që flet tri ose më shumë gjuhë të huaja sesa atyre që flasin vetëm gjuhën amtare. Një nivel relativisht i lartë shumëgjuhësie vërehet edhe në Prizren, ku një pjesë e konsiderueshme e banorëve flasin tri ose më shumë gjuhë të huaja.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025 të publikojë të dhëna nga regjistrimi i popullsisë, i realizuar rreth një vit më parë.
Ky regjistrim - ku nuk morën pjesë shumë serbë të Kosovës - ka zbuluar shumëçka tjetër përtej të dhënave të thjeshta demografike.
Për shembull, ai ka treguar se rreth 75% e banorëve të Kosovës janë të lidhur me sistemin publik të furnizimit me ujë.
Por, çdo i katërti banor ende detyrohet të gjejë vetë zgjidhje për t'u furnizuar me ujë.
Kush s'ka ende furnizim me ujë?
Rreth 2.700 banorë të Kosovës nuk kanë asnjë lloj furnizimi me ujë në shtëpitë e tyre. Ndërsa, gati 20 mijë kanë ujë vetëm jashtë ndërtesës ku banojnë.

Pak mbi 85 për qind e banorëve të Kosovës janë të lidhur me sistemin publik të kanalizimit për shkarkimin e ujërave të zeza.
Por, një numër i konsiderueshëm ende detyrohen të gjejnë forma të tjera, si lidhja në sisteme private apo hapja e gropave septike.
Mijëra qytetarë pa asnjë sistem të kanalizimit
Mbi 15 mijë banorë në Kosovë jetojnë pa asnjë sistem për shkarkimin e ujërave të zeza. Ata nuk janë të lidhur as me rrjetin publik, as me atë privat dhe nuk kanë as gropa septike. Ky problem është më i theksuar në komunën e Gjakovës.

Vetëm rreth 39% e banorëve të Kosovës ngrohen përmes sistemit të ngrohjes publike, i cili funksionon vetëm në Prishtinë dhe në Gjakovë.
Pjesa më e madhe e qytetarëve përdor sisteme të instaluara individualisht, si ngrohje qendrore private, stufa dhe oxhakë.
Lëndët kryesore për ngrohje mbeten druri, peleti dhe pajisjet që funksionojnë me energji elektrike, ndërsa energjia diellore përdoret nga vetëm 326 shtëpi në të gjithë vendin.
Me çka ngrohen banorët e Kosovës?
Vetëm në Fushë Kosovë, banorët e përdorin më shumë energjinë elektrike sesa drurin për ngrohje. Në Prishtinë, dallimi është shumë i vogël. /REL
