Nagavci merr pjesë në hapjen e CybHER Boot Camp, fuqizon vajzat në sigurinë kibernetike
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e CybHER Boot Camp me pjesëmarrjen e 150 nxënëseve të shkollave të mesme nga mbarë Kosova.
Sipas ministrisë kjo është një aktivitet që synon fuqizimin e vajzave të reja në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë.
“Në këtë aktivitet po marrin pjesë 150 nxënëse të shkollave të mesme, të përfshira në klubet e sigurisë kibernetike, të cilat gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar aftësi teknike dhe kompetenca jetësore si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, bashkëpunimi dhe vetëbesimi në hapësirën digjitale”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në fjalën e saj, Nagavci theksoi se projekti CybHER është shumë më tepër sesa një iniciativë edukative, duke e cilësuar atë si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Ajo inkurajoi nxënëset që të besojnë në potencialin e tyre dhe të ndjekin rrugën akademike dhe profesionale që dëshirojnë, duke theksuar se gjinia dhe prejardhja nuk përcaktojnë aftësitë dhe ambiciet e tyre.Ministrja falënderoi British Council, Ambasadën Britanike, shkollat, arsimtarët dhe partnerët për angazhimin e vazhdueshëm, si dhe nxënëset për energjinë, përkushtimin dhe guximin e treguar”, thuhet ndër të tjera