Laws: Viktimat kanë mbështetur UÇK-në, disa kanë qenë anëtarë - s’bëhet fjalë për denigrim të ushtrisë

Laws: Viktimat kanë mbështetur UÇK-në, disa kanë qenë anëtarë - s’bëhet fjalë për denigrim të ushtrisë

Aktuale February 10, 2026 - 12:36

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se ky proces nuk është zhvlerësim i UÇK-së dhe nuk bëhet fjalë për denigrimin e saj.

Megjithatë, ai shtoi se shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në dhe disa kanë qenë anëtarë të saj.

“Shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në. Një numër prej tyre kanë qenë anëtarë të UÇK-së. Këtu nuk bëhet fjalë për të denigruar këtë institucion”, tha mbrojtësi i viktimave.

Përveç kësaj, Laws deklaroi se këtu bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve dhe pasojat që kanë pasur sjelljet e tyre në jetën e viktimave.

“Po bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve të tij dhe pasojat në jetën e atyre që unë i përfaqësoj”, tha ai.

“Mund të thuhet që ishte e pashmangshme që lufta e UÇK-së për pavarësi do të çonte në humbje jetësh njerëzore. Kjo është pasojë e konfliktit dhe asgjë që mund të them unë nuk përbën gjykim lidhur me të drejtat ose të padrejtat e kësaj lufte dhe nuk është zhvlerësim i UÇK-së në përgjithësi”, shtoi Lawsi.

Përveç kësaj, ai tha se ishte e pashmangshme që të humbnin jetë njerëzish, por ai pyet se a ishte e pashmangshme që kjo luftë të çonte në mizori, humbje të lirisë së shumë personave, e të tjera.

“Ishte e pashmangshme që do të humbnin jetë njerëzish. Po a ishte e pashmangshme po ashtu që kjo luftë të çonte në mizori dhe vdekjet për të cilat ky trup gjykues ka dëgjuar tashmë ?! A ishte e pashmangshme që një luftë çlirimtare të çonte në humbjen e lirisë për një numër kaq të madh njerëzish?! Apo që civilë nga të gjitha komunitetet të torturoheshin dhe disa prej tyre të humbnin jetën derisa ishin të parandaluar nga UÇK-ja. Ju duhet të merrni vendim se pse kanë ndodhur këto gjëra”, tha ai. /bd