Mbrojtësi i viktimave: Shqiptarët etiketoheshin si bashkëpunëtorë, për serbët dhe romët ishte bazë e mjaftueshme përkatësia etnike
Simon Laws, i cili përfaqëson viktimat, gjatë fjalës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se një i ndaluar shqiptar etiketohej si bashkëpunëtor ose kundërshtar, ndërsa për serbët dhe romët ishte bazë e mjaftueshme përkatësia etnike.
“Mënyra se si një shqiptar të gjendet në një kamp të paraburgimit të UÇK-së, ishte të etiketohet si bashkëpunëtor ose për një arsye tjetër që të shihet si kundërshtar. Për një serb ose rom, ishte bazë e mjaftueshme vetëm përkatësia etnike”, tha Lawsi.
Simon Laws tha se ka pasur pasoja të mëdha edhe sot e kësaj dite ndaj personave që janë cilësuar bashkëpunëtorë, e për të cilët nuk është bërë përpjekje për ta vërtetuar këtë. Tha se njerëzit janë rrëmbyer mbi bazën e thashethemeve.
“Njerëzit janë rrëmbyer thjesht mbi bazën e asaj që ishte një thashethem. Është e vështirë të besosh që dikush ka humbur lirinë dhe më pas edhe jetën mbi një bazë të tillë. Por që ja kështu ka ndodhë”, tha ai, duke shtuar se personat ndaloheshin për arsye krejt absurde.
Sa i përket keqtrajtimit gjatë ndalimit, Lawsi theksoi se nuk janë hetuar pretendimet ndaj të ndaluarve.
“Nuk është bërë asnjëherë përpjekje për të vërtetuar nëse një person ishte vërtet bashkëpunëtor apo ishte fajtor për ndonjë vepër të caktuar penale. Fajësia ishte e prezumuar. Fokusi ishte të rriheshin, të keqtrajtoheshin personat dhe këmbëngulnin që ata të rrëfeheshin dhe të pranonin krime”, tha ai. /bd