Ish-ushtaraku: Marrëveshja Kroaci-Shqipëri-Kosovë, arkitekturë e re sigurie në Ballkan përmes bashkëpunimit me NATO-n
Marrëveshja trepalëshe e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë paraqet zhvillim të rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe krijon një arkitekturë të re sigurie në Ballkan, duke synuar stabilitet dhe bashkëpunim më të thellë ushtarak, vlerëson eksperti i sigurisë dhe ish-ushtaraku, Hysen Gecaj.
Ai theksoi se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë për Kosovën si shtet i ri, por edhe për Kroacinë dhe Shqipërinë, duke pasur parasysh, sipas tij, rolin destabilizues që e lidh me Serbia dhe nevojën që shtetet përreth saj të kenë bashkëpunim për të garantuar siguri dhe stabilitet për qytetarët.
“Sigurisht që kjo marrëveshje trepalëshe në mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është e rëndësishme për Kosovën si një shtet i ri në veçanti, por e rëndësishme është edhe për Kroacinë dhe Shqipërinë po ashtu. Për shkak se dihet mirë që në Ballkan ka një faktor destabilizimi dhe ky emrin e ka Serbia. Prandaj është e rëndësishme që shtetet të cilat janë përreth Serbisë të kenë një koalicion i cili do të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e saj”, tha ai.
Gecaj tha se marrëveshja synon stabilitet rajonal pavarësisht interpretimeve që mund të vijnë nga Serbia, duke shtuar se deklaratat politike në këtë drejtim, sipas tij, lidhen me zhvillimet e brendshme politike në Serbi dhe jo me realitetin në terren.
“Kjo marrëveshje ka këtë qëllim, pa marrë parasysh që Serbia e interpreton krejt ndryshe. Dhe ky interpretim në fakt niset prej një pozicioni të caktuar dhe ky pozicion është fakti që presidenti serb Vuçiq e din fare mirë që situatën në shtetin e tij nuk e ka të mirë, nuk ka një demokraci të zhvilluar e cila siguron stabilitet dhe balancë në Ballkan. Prandaj edhe shpeshherë kjo marrëveshje në mes këtyre tri shteteve shfrytëzohet prej anës së tij si një mjet për ta frikësuar vetë popullatën e vet në Serbi dhe për të forcuar ambientin përreth tij, ambientin politik e kam fjalën”, tha ai.
Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, edhe pa një koalicion të tillë, Serbia nuk ka kapacitete për veprime ushtarake ndaj Kosovës, përveç, siç tha, në nivel të akteve terroriste, presionit politik dhe nxitjes së tensioneve përmes strukturave të ndryshme.
Sipas tij, pretendimet se tri shtetet paraqesin kërcënim për Serbinë shërbejnë kryesisht për përdorim politik të brendshëm, duke theksuar se Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e NATO, ndërsa prania e NATO-s në Kosovë, sipas tij, garanton stabilitet dhe dekurajon konfliktet e reja në rajon.
“Dhe është e kuptueshme, deklaratat e tij nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin, sepse edhe po të mos kishte një koalicion të tillë në mes të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, Serbia nuk është e gatshme që ta sulmojë Kosovën — në këtë rast përveçse në nivelin e akteve terroriste dhe në aspektin politik, dhe duke nxitur trazira të ndryshme përmes qytetarëve serbë të Kosovës. Përndryshe letrat e tjera janë shterur dhe nuk mund t’i shfrytëzojë. Mirëpo, deklarata e tij se këto tri shtete tash paraqesin kërcënim dhe rrezik për Serbinë, kjo i shërben vetëm në aspektin politik të politikave të brendshme, përndryshe nuk ka asgjë reale sepse Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, Kosova në njëfarë mënyre e ka NATO-n këtu brendapërbrenda dhe po të donin ta kërcënonin Serbinë do ta bënin këtë shumë më herët, por nuk është ky qëllimi fare. Dhe nuk do të ndodhë një gjë e tillë sepse as NATO-s nuk i përgjigjet që të shkaktojë trazira edhe lufta të reja në këto situata, në këto momente, përderisa ka një hapësirë dhe një mundësi që problemet të zgjidhen me paqe”, tha ai.
Ai e cilësoi këtë bashkëpunim si arkitekturë të re sigurie, duke theksuar se kombinimi i dy shteteve anëtare të NATO-s me Kosovën, ku NATO është prezente, lehtëson edhe aspektin organizativ të Aleancës për ruajtjen e sigurisë në Ballkan.
“Arkitekturë e re e sigurisë gjithsesi që është, për shkak se këtu është një kombinim, siç e përmenda më herët, ku dy shtete janë pjesë e NATO-s dhe një shtet i ri siç është Kosova nuk i takon NATO-s, por NATO-ja është prezente në Kosovë. Dhe kjo formë e organizimit faktikisht paraqet edhe një lehtësim në aspektin organizativ të NATO-s për sa i përket mbajtjes së qetësisë, rendit dhe sigurisë në Ballkan. Prandaj kjo arkitekturë e re është njëfarë forme, njëfarë leve shtese për NATO-n në Ballkan”, tha ai.
Gecaj deklaroi se marrëveshja ndihmon edhe në aspektin praktik, duke përfshirë mundësinë për marrëveshje të përbashkëta për furnizim me armatim dhe municione, si dhe shkëmbimin e përvojave, edukimin dhe trajnimin ushtarak, duke theksuar se bashkëpunimi mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Kroacisë ekziston prej vitesh dhe kjo marrëveshje, sipas tij, vetëm e formalizon dhe e zgjeron atë.
Ai shtoi se bashkëpunimi ka edhe dimension strategjik, duke synuar të dekurajojë çdo veprim agresiv të mundshëm në rajon dhe të forcojë sigurinë në Ballkan.
“Është përmend edhe prej ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, i cili e përmendi që këto marrëveshje kanë për qëllim lehtësimin e tregtisë për sa i përket municioneve dhe armatimeve, sepse tri shtete shumë më lehtë mund të lidhin marrëveshje me një kontraktor të fuqishëm dhe pastaj bëhet shpërndarja e këtyre armatimeve. Mirëpo, shumë më e rëndësishme është më pas edhe këmbimi i përvojave në mes të këtyre tri shteteve, pastaj vjen edhe arsimimi, edukimi ushtarak të cilin edhe ashtu FSK-ja me Kroacinë ka vite që bashkëpunon, edhe derisa nuk kishim një marrëveshje çfarë e kemi sot. Prandaj kjo është një vazhdimësi, vetëm se e legalizume, e bashkëpunimit me ushtrinë kroate dhe me shtetin kroat. Në këto fusha është tepër e rëndësishme që të ketë bashkëpunim, dhe e fundit vjen aspekti strategjik i sigurisë në Ballkan. Pra kjo arkitekturë ka edhe këtë qëllim, pra një qëllim strategjik, në mënyrë që të dekurajohet Serbia që të ndërmarrë ndonjë hap agresiv qoftë ndaj Shqipërisë ose Kosovës”, tha ai.
Të martën në Kroaci është mbajtur takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve, në kuadër të Deklaratës së përbashkët të nënshkruar në vitin 2025 nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve.
Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi Drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci.
Gjatë takimit u diskutua për avancimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin e Deklaratës.
Në njoftim thuhet se Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në aftësitë mbrojtëse dhe industrinë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euroatlantik.
Ndërsa, NATO i është përgjigjur Serbisë që u ankua për lidhjen ushtarake të Kroacisë e Shqipërisë me Kosovën
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sheqerinska, në një intervistë për “Beta” theksuar rëndësinë e investimeve në mbrojtje për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, një rajon i cili, sipas saj, ndikohet jo vetëm nga zhvillimet globale gjeopolitike, por edhe nga dialogu politik.
Ajo ka thënë se Kroacia dhe Shqipëria janë aleatë të besueshëm të NATO-s dhe kontribuues të stabilitetit rajonal.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleatë të besueshëm dhe të vlefshëm brenda Aleancës. Ato janë gjithashtu kontribuese të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato janë të pranishme në KFOR, por në përgjithësi janë shumë të përqendruara në mbështetjen e kësaj axhende në rajon”, ka thënë Shekerinska./EO