Sveçla: Deklarata e Vulinit kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe Kurtit, s’i frikësohemi as atij e as Vuçiqit
Foto: Laura Hasani

Sveçla: Deklarata e Vulinit kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe Kurtit, s’i frikësohemi as atij e as Vuçiqit

Aktuale March 04, 2026 - 11:23

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ish-drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe thellësisht kërcënuese për Republikën e Kosovës.

Sipas Sveçlës, referimi i Vulinit ndaj modelit të shërbimit izraelit Mossad dhe pyetja e tij “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, në kontekstin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, përbën normalizim të logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi në Ballkan.

Ai theksoi se krahasimi i një konflikti me dinamikë lufte të hapur me raportin ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është i rrezikshëm dhe i papranueshëm, transmeton Zeri.info.

Sveçla rikujtoi se Vulini ka pasur marrëdhënie të ngushta politike dhe institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai nënvizoi se për shkak të aktivitetit të tij, Vulini është vendosur në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me pretendime për lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.

Në reagimin e tij, ministri përmendi edhe rastet historike të vrasjes së veprimtarëve shqiptarë si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke theksuar se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në operacione të tilla në të kaluarën.

Ai bëri të ditur gjithashtu se në javën e dytë të shkurtit, dy shtetas bjellorusë dhe një rus, pasi kishin qëndruar fillimisht në Serbi, kanë hyrë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Sipas tij, ata janë ndaluar dhe arrestuar nga institucionet e sigurisë, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente. Sveçla theksoi se përvoja e tyre ushtarake, trajnimet me eksploziv dhe pajisjet e sekuestruara për orientim e kamuflim përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulini.

Në fund, ai theksoi se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përballen me çdo kërcënim në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin, duke shtuar se as Vulini e as Vuçiqi nuk mund ta frikësojnë apo ndalin Kosovën në rrugën e saj drejt forcimit të shtetësisë.

Sveçla apeloi që përpjekjet për destabilizim nga Rusia dhe Serbia të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.