Çitaku tregon se a do ta dërgojë PDK-ja Projektligjin për konfiskimin e pasurisë në Kushtetuese

Çitaku tregon se a do ta dërgojë PDK-ja Projektligjin për konfiskimin e pasurisë në Kushtetuese

Aktuale April 14, 2026 - 14:28

Në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës në rend është edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

PDK-ja ka thënë se qëndrimin e tyre për këtë projektligj do ta bëjnë të ditur në seancën e Kuvendit, transmeton Zeri.info.

“Qëndrimin tonë do ta bëjmë të ditur seancën plenare, nesër do ta kemi takimin e Grupit Parlamentar, duhet të jemi të kujdesshëm në komunikimin me qytetarët, askush nuk po kërkon që t’i mbrojë ata që janë pasuruar jashtëligjshëm. Ne jemi kundër për ligje të tilla, të bëhen lojëra të ulëta politike”, tha deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

E pyetur nëse PDK-ja do ta dërgojë këtë projektligj në Kushtetuese, ajo tha: “Siç e dini, ne kemi një ekip fantastik juristësh në kuadër të Grupit Parlamentar dhe sigurisht që detyra jonë si deputetë është të sigurohemi që çdo ligj është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. /Zëri