Flutura Kusari: Kandidatët për RTK u ftuan natën vonë për intervistë, niveli i tyre jashtëzakonisht i ulët
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të Radio Televizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media, duke e cilësuar si një proces që nuk përputhet me standardet demokratike.
Në një konferencë urgjente për media, Kusari deklaroi se niveli i kandidatëve është “jashtëzakonisht i ulët”, duke shtuar se është e vështirë të gjenden profesionistë që e meritojnë të jenë pjesë e Bordit të RTK-së.
“Po flas pak për elementet që e kanë karakterizuar edhe procesin e përzgjedhjes së Bordit të RTK-së së që është në proces, por edhe të anëtarëve të KPM-së, të cilat karakteristika janë tipike kur një parti në pushtet synon të kapë një institucion të pavarur. Fillimisht me përmend që niveli i kandidatëve që kanë kandiduar është jashtëzakonisht i ulët është vështirë me gjetur profesionist aty të cilët e meritojnë të jenë anëtarë të Bordit të RTK-së dhe kjo ka ndodhur për shkak se profesionistët nuk I besojnë Lëvizjes Vetëvendosje që do të zhvillojë një proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë”.
Kusari ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e organizimit të intervistave, duke bërë të ditur se kandidatët për Bordin e RTK-së janë ftuar në orët e vona të mbrëmjes për t’u paraqitur sot në mëngjes në intervistë.
“E dyta u përmend, që mbrëmë në orët e vona të natës janë ftuar kandidatët që me ardh sot në intervistë, kjo është përqeshje me proceset e rëndësishme demokratike që ky Kuvend është i thirrur t’i zhvillojë. Ta ftosh një person që do të shërbejë tre, katër vjet në RTK rreth orës 22:00 të natës për t’u paraqitur nesër në mëngjes për intervistë është jo serioze dhe tallje me proceset demokratike”, tha ajo.