APRK-ja paralajmëron për certifikata të rreme, thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve online
Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës ka ngritur alarmin për raste të fundit të falsifikimit dhe shitjes së certifikatave të rreme në emër të institucionit, përmes platformave online dhe rrjeteve sociale.
Përmes një njoftimi zyrtar, APRK-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve, duke theksuar se çdo certifikatë e lëshuar nga ky institucion është e verifikueshme vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Institucioni rikujton se blerja apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.
Njëkohësisht, qytetarët inkurajohen që çdo rast të dyshimtë apo ofertë për certifikata të tilla ta raportojnë menjëherë te organet kompetente ose drejtpërdrejt në APRK.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe mbrojtjen nga mashtrimet. /Zëri