Kurti përkujton masakrën në Poklek: Drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e ndodhur më 17 prill 1999 në Poklek të Drenasit, ku në shtëpinë e familjes Muqolli u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga të moshuar deri te foshnje, duke përfshirë edhe gra shtatzëna.
Ai theksoi se viktimat u vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat serbe, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Kurti ka shkruar se, kujtimi për ta ruhet sot në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur nga institucionet e Kosovës, ku ruhen dëshmi që pasqyrojnë përmasën njerëzore të tragjedisë.
Në të njëjtën ditë, në Korroticë të Poshtme u vra edhe poeti i njohur për fëmijë, Ymer Elshani, bashkë me familjarët e tij, ndërsa në Çikatovë të Vjetër u vranë civilë të tjerë shqiptarë, trupat e disa prej të cilëve u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë e Rashkës.
Kurti theksoi se përkujtimi i këtyre viktimave është obligim institucional dhe shoqëror, ndërsa dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive mbeten thelbësore për të vërtetën historike dhe drejtësinë.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë”, u shpreh ai, duke riafirmuar përkushtimin për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë. /Zëri