Haxhiu për presidentin: Kushdo që mendon se zgjedhjet do të ndryshojnë diçka, e ka gabim
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se është gabim që një javë para se të përmbyllet afati kushtetues të dilet me përfundim se kjo çështje është e mbyllur.
Sipas saj, palët duhet të reflektojnë dhe duhet të kihet parasysh mesazhi që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Mendoj që është shumë gabim që një javë para se të përmbyllet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur, për faktin se është dashur që gjithë kjo javë që kemi pasur para vetes të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së një konsensusi për të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit me mandat pesëvjeçar. Kuvendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Unë kam thënë edhe dje që situata aktuale po ngjason me situatën e vitit të kaluar, ku edhe përkundër faktit që kishte takime nuk kishte vullnet, as minimumi i vullnetit për të dalë nga ngërçi apo bllokada e krijuar nga viti i kaluar. Prandaj, është e rëndësishme që palët të reflektojnë, të kihet parasysh mesazhi që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe kushdo që mendon se nëse shkojmë në zgjedhje do të ndryshojë diçka nga ky rezultat, e ka gabim, për faktin se qytetarët e kanë dëshmuar se dinë t’i vlerësojnë situatat me të cilat përballemi dhe jemi përballur gjatë kësaj kohe dhe dinë të ndëshkojnë këdo që nuk ka reflektim dhe këdo që me veprimet e tyre e dëmtojnë interesin qytetar dhe Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu. /eo