Haxhiu dënon gjuhën e deputetit Geci ndaj krerëve të UÇK-së dhe Vlora Çitakut
Foto: Laura Hasani

Haxhiu dënon gjuhën e deputetit Geci ndaj krerëve të UÇK-së dhe Vlora Çitakut

Aktuale April 23, 2026 - 10:33

Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka folur në fillim të seancës së sotme, ku ka dënuar gjuhën e përdorur në seancën e kaluar nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci.

Haxhiu tha se gjuha e përdorur nga Geci ishte e rëndë dhe përçarëse, transmeton Zeri.info.

“Ajo deklaratë ishte e rëndë, përçarëse dhe e papranueshme, dua të theksoj se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, uroj që vendimi i Hagës të korrigjojë padrejtësinë”.

“Si kryetare e Kuvendit, e dënoj këtë gjuhë dhe foltorja e Kuvendit nuk duhet të përdoret për gjuhë të tilla”, tha Haxhiu

Ajo tutje përmendi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë e pastër dhe e shenjtë dhe se çdo tentim për ta zbehur dhe njollosur është i papranueshëm.

Po ashtu i njëjti deputet, në seancën e njëjtë ka përdorur gjuhë seksiste ndaj deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, për çka Haxhiu tha se kjo lloj gjuhe s’duhet të ketë vend në Kuvend dhe shoqërinë tonë.

“Së dyti, dje u bë publike edhe gjuha seksiste kundrejt deputetes Vlora Çitaku, gjuha seksiste ndaj grave në politikë, por edhe vajzave dhe grave në shoqërinë tonë është e papranueshme”, tha Haxhiu. /Zëri