Në 27-vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët e Betejës së Majdanit
Në 27-vjetorin e rënies heroike, komuna e Vushtrrisë ka përkujtuar dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arsim Muzaqi, Rrustem Hyseni, Shemsi Istrefi dhe Enver Musa.
Kryetari Ferit Idrizi, bashkë me kabinetin qeveritar, deputetin e Kuvendit të Kosovës, gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarë dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Bletaj.
“27 vite më parë, pas një beteje të lavdishme 46-ditore në Betejën e Majdanit, në fshatin Melenicë, si pjesë e Brigadës 141 të Zonës Operative të Shalës, ata ranë heroikisht, duke u bërë pjesë e përjetshme e historisë sonë kombëtare. Trimëria dhe sakrifica e tyre mbeten udhërrëfyes për brezat që do të vijnë. Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit”, deklaroi Idrizi.