Fatos Geci kërkon falje për deklaratën në Kuvend, sqaron qëndrimin për UÇK-në dhe Thaçin

Fatos Geci kërkon falje për deklaratën në Kuvend, sqaron qëndrimin për UÇK-në dhe Thaçin

Aktuale April 24, 2026 - 12:45

Fatos Geci ka reaguar me një sqarim publik lidhur me deklaratën e tij të fundit për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke kërkuar falje për gjuhën e përdorur në Kuvend.

Në reagimin e tij, Geci shpreh keqardhje për mënyrën sesi është shprehur ndaj një deputeteje, duke theksuar se fjalori i përdorur nuk përfaqëson nivelin e komunikimit që ai synon, transmeton Zeri.info.

“Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën sesi jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj”, thuhet në reagim.

Ai shton se nuk arriti ta ruajë maturinë, duke u ndikuar nga provokimet dhe ofendimet e marra gjatë debatit.

Në të njëjtën kohë, Geci ka theksuar qëndrimin e tij të palëkundur ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për kontributin e saj.

“Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm”, thekson ai.

Megjithatë, ai nënvizon se kjo nuk nënkupton mbështetje për individë të caktuar, duke përmendur përvoja personale që, sipas tij, kanë ndikuar në qëndrimet e tij.

Geci përmend edhe “Komunikatën 59”, duke theksuar se ata që e njohin këtë kontekst mund t’i kuptojnë më mirë qëndrimet e tij, ndërsa shton se përjetimet e tij personale lidhen me frikën dhe pasigurinë për familjen gjatë periudhave të caktuara.

Në fund, ai thekson se këto përvoja kanë formësuar qëndrimet e tij, duke mbajtur njëkohësisht respekt për luftën dhe vlerat e UÇK-së. /Zëri

Sqarimi i plotë i Gecit:

SQARIM

Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë.

Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm. Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kanë vetëm pak njohuri për Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe.

Këto përvoja janë të thella dhe më bëjnë që, përtej respektit të përgjithshëm për luftën e pastër të UÇK-së dhe vlera të larta, të kem qëndrime të rezervuara ndaj individëve të caktuar. Këto përjetime formësojnë qëndrimet e mia.

I Juaji,

Fatos Geci