“Figurë e shquar e kombit shqiptar”, deputetët nderojnë akademikun Rexhep Qosja
Në Kuvend u mbajt seancë e veçantë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.
Seanca nisi me një minutë heshtje nga deputetët e më pas u vlerësua lart kontributi i tij në letërsi e çështje kombëtare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u shpreh se humbja e Qosjes është humbje e madhe për mendimin kritik e fjalën e lirë në shoqërinë shqiptare, raporton Zeri.info.
“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte. Dhe pikërisht sepse nuk heshti kurrë, ai do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës së tij. Ai ishte gjykatës i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë ose politikës, por sfidues i tyre”, u shpreh kryetari i PDK-së.
Fjalë të çmuara për Qosjen pati edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo e cilësoi atë si një ndër figurat më të rëndësishme të mendimit kritik e letërsisë në kombin shqiptar.
“Akademik Qosja ishte një intelektual, studiues i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm në debatin publik shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ishte ndër të parët doktorë të shkencave filologjike në Kosovë dhe një nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e studimeve albanologjike në vendin tonë. Si profesor i Universitetit të Prishtinës dhe drejtues i Institutit Albanologjik, ai la gjurmë të pashlyeshme në formimin e brezave të tërë studiuesish e studentësh. Veprat e tij shkencore e letrare, me dhjetëra libra e vepra në fusha të ndryshme, nga historia e letërsisë te kritika dhe romani, përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi rolin e Rexhep Qosjes në jetën intelektuale e politike shqiptare.
Tahiri u shpreh se veprat e Qosjes nuk kanë krijuar vetëm estetikë, por edhe etikë politike, duke prodhuar jo vetëm dije, por edhe ndërgjegje në një kohë kur, sipas tij, fjala shpesh është komprometuar.
“Veprat e Rexhep Qosjes nuk prodhuan vetëm dije, por ndërgjegje në një kohë kur fjala shpesh bëhej kompromis, ai e ruajti këtë për ta përçuar të vërtetën”, u shpreh Tahiri.
Kujtojmë se Rexhep Qosja vdiq ditë më parë në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas vepra të shumta në disa fusha që do të shërbejnë për breza të shumtë. /Zëri