Dështon rishikimi i buxhetit në Kuvend
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të rishikojë buxhetin për vitin 2026, i cili nuk arriti të marr votat e mjaftueshme për shmangie të afateve procedurale.
58 deputetë votuan pro, 48 kundër dhe asnjë abstenim.
Për këtë, opozita pati kundërshtime.
Mustafa: LDK-ja kundër shmangies së procedurave për Ligjin e Buxhetit
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se kjo parti është kundër përshpejtimit apo shmangies së procedurave për miratimin e Ligjit për Buxhet.
Sipas tij, ky ligj ka rëndësi jetike për vendin dhe duhet të trajtohet me kujdes maksimal institucional.
“Ligji për Buxhet është i rëndësisë vitale dhe si i tillë ka procedura strikte. Për shkak të mungesës së procedurave, LDK voton kundër përshpejtimit apo shmangies së tyre”, tha Mustafa.
Hamza: PDK kundër ndryshimeve buxhetore, procedurat në kundërshtim me ligjin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e mbështet shmangien e procedurave për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Hamza thotë se procedurat janë në kundërshtim me ligjin.
“Përvoja ka treguar që të gjitha veprimet që qeveria i ka ndërmarrë që nga fillimi, nisur prej dekreteve, fillimisht Kuvendi, qeveria, buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare, presidenti, nuk kanë pasur absolutisht asnjë vullnet serioz, në mirëbesim dhe në bashkëpunim, që vendit t’i japin stabilitet institucional. Kjo nuk po shihet.Çfarë po thoni? Këtu nuk është ekip i përbashkët. Këtu nuk është ekip për organizatat buxhetore. Këtu është një situatë që, asnjëherë në 26 vjet pas lufte, nuk e kemi pasur. As mos e pafsha, se keq është. Çfarë po thoni? Pa treguar mirë dhe krejt qartë nga vijnë mjetet, thoni: shtoni edhe rreth 122 milionë euro para publike, duke na dhënë mundësinë që, në mënyrë abuzive, ta bëjmë keqpërdorimin e parasë publike, për ta thjeshtësuar — ta bëjmë blerjen e votës përmes parasë publike. Edhe këtë në një procedurë të përshpejtuar. Prandaj, bazuar në të gjitha veprimet paraprake, për shumë ligje e procedura ku nuk keni treguar bashkëpunim dhe seriozitet, dhe që janë në kundërshtim me transparencën, llogaridhënien dhe procedurat se si sillen ligjet në Kuvend, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e mbështet”, u shpreh
12:00 Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në rend dite ndarjet buxhetore
Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme e cila është thirrur me nënshkrimin e 40 deputetëve të pozitës.
Në këtë seancë pritet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, transmeton Zeri.info.
Po ashtu pritet të bëhet shqyrtimi i disa projektligjeve tjera.
Rendi i ditës
1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
5. Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.