Afati kushtetues drejt fundit, ende s’ka emër konsensual për presidentin
Foto: Laura Hasani

Afati kushtetues drejt fundit, ende s’ka emër konsensual për presidentin

Aktuale April 27, 2026 - 10:33

Vendi po përballet me presion kohor, pasi nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit si kandidate për presidente.

I pyetur nga gazetarët, kryeministri Kurti nuk ka dhënë qëndrim të qartë për këtë çështje.

Edhe ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk ka pranuar të flasë për çështjen e presidentit.

Ajo, derisa ishte duke shkuar në homazhe pranë Monumentit dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, kërkoi që ata të respektohen.

Ndërkohë, vendi po përballet me presion kohor, pasi nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Deri tash partitë politike nuk kanë arritur konsensus për një emër që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë ofertë dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre kandidatë për postin e presidentit. LVV-ja është zotuar se do t’i sigurojë nënshkrimet e nevojshme për formalizimin e kandidaturave dhe do të mbështesë njërin prej tyre në votim.

Kjo ofertë nuk është pritur njësoj nga opozita. PDK-ja e ka refuzuar atë, ndërsa LDK-ja ka vendosur kushte, duke përmendur në mënyrë specifike emrin e Vjosa Osmanit si kandidate të mundshme.

Osmani këtë muaj përfundoi mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit.