Pacolli: Kosovës nuk i duhen armiq, mjafton ajo që po ia bën politika vendore
Politikani Behgjet Pacolli ka kritikuar ashpër skenën politike në vend, duke thënë se mënyra e funksionimit të saj po e dëmton vetë shtetin.
Sipas tij, situata aktuale është e tillë që “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm”, pasi gabimet dhe qasja e politikës vendore po krijojnë pasoja më të mëdha sesa faktorët e jashtëm.
Pacolli ka theksuar se një mendim i tillë i është shprehur edhe nga një “mendimtar i pjekur nga Kosova”, të cilin ai e konsideron të qëndrueshëm në thelb.
Deklarata e tij vjen në një periudhë tensionesh dhe debatesh të shtuara politike në vend, ku shpeshherë akuzat ndërmjet subjekteve politike janë intensifikuar. /Zëri
Shkrimi i plotë i Pacollit:
Sikur në qendrat më armiqësore ndaj Republikës së Kosovës të hartohej një strategji për ta dëmtuar vendin, vështirë se do të dilte diçka më e dëmshme sesa ajo që po prodhon sot vetë politika vendore.
Në disa raste, duket sikur Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm — mjaftojnë gabimet dhe qasja e politikanëve të saj.
Këtë mendim ma shprehu një mendimtar i pjekur nga Kosova, dhe besoj se në thelb qëndron i vërtetë!