Përqindje e lartë e të rinjve po mendojnë emigrimin, rrjeti i OJQ-ve dhe Forumi i të Rinjve alarmojnë për mungesë perspektive në Kosovë
Mungesa e perspektivës në vend ka bërë që përqindje e lartë e të rinjve të shohin emigrimin si mundësi për një jetë më të mirë.
Një pyetësor i realizuar nga Telegrafi me pyetjen “Cilat mendoni se janë shkaqet kryesore të emigrimit të të rinjve?” nxjerr në pah mungesën e perspektivës si arsyen kryesore që shtyn të rinjtë të largohen nga vendi.
Sipas rezultateve, 48.89 për qind e respondentëve kanë vlerësuar se mungesa e perspektivës përbën shkakun kryesor të emigrimit të të rinjve nga Kosova.
Në të njëjtën kohë, rezultatet tregojnë se emigrimi po shihet si një plan konkret nga një pjesë e madhe e qytetarëve. Rreth 48.15 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se planifikojnë të largohen nga Kosova, ndërsa 25.83 për qind janë ende në dilemë.
Lidhur me këtë situatë ka folur edhe Aolta Bajrami nga Rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, e cila e cilësoi shqetësuese këtë përqindje të të rinjve që po mendojnë largimin.
“Është shqetësuese... Jo pa arsye, brenda vitit i kemi pas pesë palë zgjedhje dhe natyrisht të rinjtë janë lodhë, edhe shumica e proceseve që kanë fillu kanë stagnu aty ku kanë fillu”, tha ajo.
Sipas Bajramit, institucionet nuk po arrijnë të krijojnë një qasje reale dhe afatgjatë ndaj të rinjve.
“Për ne si ‘Avonet’ është shqetësuese mënyra se si janë trajtuar të rinjtë dhe se si po trajtohen edhe tani e tutje, që veçse është publike dhe dihet dëshira e tyre po ta lënë vendin. Në kohë kur ekspozohen para mediave ose para qytetarëve, partitë në kohë fushate thonë se të rinjtë janë e ardhmja, shpeshherë është fjali klishe”.
Ajo shtoi se vendet evropiane po i targetojnë të rinjtë kosovarë për shkak të potencialit të tyre dhe po u ofrojnë mundësi më të mira ekonomike.
“E dimë që në Kosovë potencial i jashtëzakonshëm janë të rinjtë dhe shtetet perëndimore ose shtetet evropiane po i targetojnë këta të rinj dhe po i marrin, e natyrisht po i japin edhe po ju ofrojnë mundësi për punë. Ata po e shohin zgjidhjen më të mirë, pjesën e pagave ose pjesën e financave në shtetet e jashtme, natyrisht edhe po e zgjidhin si rrugën më të lehtë”, përfundoi Bajrami.
Në anën tjetër, Ez’her Bega nga Forumi Rinor i Ferizajt tha se mungesa e investimeve dhe mbështetjes institucionale po ndikon drejtpërdrejt në largimin e të rinjve.
“Arsyeja pse nuk mund ta zhvillojmë një aktivitet të mirë duhet të intervenojë komuna për terrenin tonë. Duhet të kem më shumë funde që të organizojmë më shumë aktivitete edhe më të mira. Interesimi do të rritet ashtu edhe me fondet”, tha ai.
Ai theksoi se të rinjtë po largohen për shkak të mungesës së hapësirave për zhvillim personal dhe profesional.
“Ikja e të rinjve zakonisht ndodh nga hapësira e vogël për edukim, sport e edukime të tjera sepse vullneti i tyre izolohet dhe kanë nevojë që me dal jashtë shtetit, sepse atje kam më shumë hapësirë, më shumë të ardhura”, shtoi Bega.
Tutje, rezultatet e pyetësorit tregojnë se pagat e ulëta përmenden nga 23.8 për qind e respondentëve si arsye për t'u larguar nga vendi.
Kjo nënkupton se qytetarët mendojnë emigrimin për mungesë perspektive, për shkak të mungesës së besimit në të ardhmen dhe zhvillimin e vendit, për arsye financiare, etj.
Kjo reflektohet edhe në nivelin e pakënaqësisë qytetare, ku 55.9 për qind e respondentëve janë deklaruar të pakënaqur ose shumë të pakënaqur, ndërsa vetëm 16.6 për qind janë shprehur pozitivë.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se emigrimi nuk lidhet vetëm me papunësinë. Shumica e respondentëve janë të punësuar në sektorin privat, me 57.93 për qind, ndërsa 95.89 për qind kanë familjarë jashtë vendit, çka sipas analizës e normalizon emigrimin si fenomen shoqëror.
Një tjetër tregues shqetësues është edhe fakti se 67 për qind e respondentëve janë mbi moshën 30-vjeçare, duke treguar se largimin po e konsideron edhe mosha aktive e punës.
Por, cilët janë arsyet që do të ndikonin që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë?
Në sondazh qytetarët janë po ashtu kanë treguar qartë edhe faktorët që sipas tyre do të ndikonin për të qëndruar në Kosovë. Pagat më të mira janë përzgjedhur nga 33.79 për qind e respondentëve, stabiliteti politik nga 18.36 për qind dhe lufta kundër korrupsionit nga 18.16 për qind.