Serwer: Mendoja se Osmani ishte një presidente e mirë, por duket që thyerja me Kurtin ishte e pakapërcyeshme
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme në javën e fundit të majit apo në javën e parë të qershorit, pasi partitë politike s’kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket asaj se kush duhet të jetë president i vendit. Kreu i LVV-së, Albin Kurti, s’kishte pranuar që të përkrahte Vjosa Osmanin edhe për një mandat të dytë, duke provuar që të gjente një zgjidhje tjetër përmes negociatave me partitë opozitare.
Profesori amerikan i Johns Hopkins University, Daniel Serwer, i cili përcjell aktivisht zhvillimet politike në Kosovë, në një përgjigje për Express ka thënë se Vjosa Osmani do të ishte një presidente e mirë, megjithatë sipas tij, duket se përçarja mes saj me liderin e VV-së Albin Kurtin ka qenë e pakapërcyeshme.
“Mendova se Vjosa Osmani ishte një presidente e mirë. Por përçarja midis saj dhe Kryeministrit duket se ka qenë e pakapërcyeshme. Nga do të kishin ardhur votat për një mandat të dytë?”, thotë Serwer.
Sa i përket negociatave për president të bëra mes partive politike dhe asaj nëse Kurti do të duhej të lëshonte pe për pozitën e presidentit, Serwer thotë se kjo është një çështje për Kurtin dhe shton se kur e ke shumicën është shumë e vështirë ta ndash pushtetin.
“Ky është një vendim për Kryeministrin, jo për mua. Ndarja e pushtetit kur ke shumicën nuk është e lehtë”, ka thënë Serwer.
Në fund, profesori amerikan thotë se zgjedhjet e treta brenda në më pak se dy vite i duken të tepërta dhe tregojnë që ka mungesë fleksibiliteti në të gjitha anët.
“Gjëja e rëndësishme është të ruhen institucionet dhe të vazhdohet në një mënyrë të saktë ligjërisht. Më duket se kjo po ndodh. Imazhi i Kosovës do të dëmtohet pak, por kjo riparohet lehtësisht sapo të zgjidhet nyja politike”, ka thënë Serwer.