Kurti: Serbia na ka pamatshëm borxh, me forcimin e shtetit i dalim zot popullit

Kurti: Serbia na ka pamatshëm borxh, me forcimin e shtetit i dalim zot popullit

Aktuale April 30, 2026 - 11:47
Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë të Drenicës, duke theksuar se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të luftës.

Ai tha se, me gjithë përparimet në ndjekjen e krimeve të luftës, nevojitet më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat.

“Në Shtuticë e Vërboc, në Gllobar e Baks, në fshatra të ndryshme të Drenicës, në secilën prej tyre para 27 vjetëve ranë dhjetëra martirë e dëshmorë të kombit. Dhe siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe në këtë mënyrë jemi të sigurt se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike e pavarur, shtet i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, i ka rrënjët e lirisë së saj dhe themelet e sistemit të institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve. Pas 27 vjetëve, shumë kriminelë serbë po arrestohen ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime sa i përket edhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë”, tha ai.

Kurti kërkoi veprime më të shpejta nga prokuroria dhe gjyqësori për shkak të kalimit të kohës dhe humbjes së dëshmitarëve.

“Duhet të bëhet më shumë nga prokuroria dhe gjyqësori, duhet të veprohet më shpejt nga prokuroria dhe gjyqësori, për shkak se një mend dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po plaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë. Prandaj na duhet që të nxitohemi, që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova sot është më e fortë në aspektin e sigurisë dhe institucioneve, duke garantuar se krime të tilla nuk do të përsëriten më.

“Në anën tjetër, Kosova është më e fortë se kurrë. Ushtria dhe policia, edhe për nga aftësitë, edhe për nga madhësia, janë në nivele të larta, dhe kurrë më askush nuk guxon që të na e mësyjë, për të vrarë pleq e fëmijë, gra e burra, të reja e të rinj, siç është bërë në luftën e fundit në Kosovë. Dëshmorët e martirët e kombit, ne i përkujtojmë përherë dhe do t’i kujtojmë përgjithmonë. Njëkohësisht nuk harrojmë se gjenocidi i Serbisë i viteve 1998-1999, është gjenocidi i katërt dhe i fundit i Serbisë. Republika e Kosovës, dinjitetin e sovranitetin, socio-ekonominë, integritetin territorial e institucional, forcën e sigurisë dhe policinë, i ka në nivele gjithnjë e më të larta, dhe një përparim i një ngritje e tillë vetëm sa do të vazhdojë në javët, muajt dhe vitet në vijim”, tha ai. /eo