Haxhiu nga Shtutica: Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave e pleqve - dëshmi e gjenocidit të Serbisë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë të komunës së Drenasit, duke përkujtuar viktimat civile dhe dëshmorët e rënë gjatë luftës.
Ajo tha se masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës janë dëshmi e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
“27 vjet më parë, Globari, Vërboci, Shtutica, Tërsteniku, Baks, Polluzha dhe fshatra të tjera të Drenicës, u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe. 276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, ndërsa të tjerë u dërguan në rrafsh të Serbisë me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre edhe heroi Ilaz Kodra, i cili e udhëhoqi brigadën 114. Sot ne nderojmë veprën e tyre sublime, nderojmë jetën e martirëve dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Janë ata që kanë mundësuar që sot ne e kemi shtetin e Kosovës, lirinë e pavarësinë, të cilën duhet ta nderojmë me punë të vazhdueshme. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha ajo. /eo