Banka në Serbi po i refuzon donacionet nga Kosova për shqiptarët në Luginë, reagon Kamberi
Foto: Laura Hasani

Banka në Serbi po i refuzon donacionet nga Kosova për shqiptarët në Luginë, reagon Kamberi

Aktuale April 30, 2026 - 13:44

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të bankës HalkBank për të refuzuar donacionet e ardhura nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Në një reagim publik, Kamberi ka thënë se refuzimi i këtyre fondeve pa transparencë, pa vendim publik dhe pa arsyetim ligjor përbën një “precedent shqetësues dhe të papranueshëm”.

Sipas tij, ky veprim nuk mund të konsiderohet më si çështje teknike bankare, por si një akt me përmbajtje politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Serbi.

Ai thekson se përmes këtij vendimi po pengohet funksionimi i institucioneve legjitime të pakicës shqiptare, duke krijuar, siç shprehet, një klimë përjashtuese dhe izolim institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi shton se ky veprim prek drejtpërdrejt qindra përfitues, përfshirë nxënës, studentë, media, shoqëri civile, bujq dhe organizata që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.

Në reagim thuhet gjithashtu se për këto zhvillime janë informuar mekanizmat ndërkombëtarë, por mungesa e reagimit po lejon vazhdimin e praktikave diskriminuese.

Ai u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe ambasadave perëndimore që të mos heshtin, duke ngritur edhe pyetje për rolin e ambasadës turke në këtë proces. /Zëri