Tetë raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja thërret prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët
Foto: Laura Hasani

Tetë raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja thërret prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët

Aktuale April 30, 2026 - 21:37

Tetë raste të fëmijëve të prekur me fruth janë regjistruar në Kosovë gjatë dy javëve të fundit të muajit prill.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).

IKSHPK ka theksuar se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

Ky institucion u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

“Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë.  Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Instituti rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.