Kosova përzgjidhet organizatore e Konferencës Pranverore Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave në vitin 2027
Kosova është përzgjedhur zyrtarisht organizatore e edicionit të vitit 2027 të Konferencës Pranverore Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, gjatë punimeve të edicionit të 34-t të Konferencës Pranverore 2026, që po mbahet në Antalia.
Në këtë konferencë Agjencia për Informim dhe Privatësi po përfaqëson Kosovën me delegacionin e udhëhequr nga Krenare Sogojeva Dermaku.
Konferenca Pranverore konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, duke mbledhur autoritete mbikëqyrëse, komisionerë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të privatësisë nga Evropa dhe më gjerë.
Sipas njoftimit, përzgjedhja e Kosovës si vend organizator për vitin 2027 paraqet një vlerësim të rëndësishëm për rolin aktiv të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në mbrojtjen e të dhënave personale dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare në këtë fushë.
Ky vendim vjen pas organizimit të suksesshëm të European Case Handling Workshop 2025 në Kosovë gjatë nëntorit të vitit të kaluar, duke dëshmuar kapacitetin institucional të agjencisë për organizimin e ngjarjeve të nivelit evropian.
Po ashtu, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se që nga viti 2024 vazhdon angazhimin në cilësinë e anëtares vëzhguese në European Data Protection Board, duke bashkëpunuar me autoritetet ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale në nivel evropian. /Zëri