9 Maji: Kujtohet pjesëmarrja e mbi 50 mijë kosovarëve në luftën antifashiste

9 Maji: Kujtohet pjesëmarrja e mbi 50 mijë kosovarëve në luftën antifashiste

Aktuale May 09, 2026 - 11:34

Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës ka përkujtuar me nderim 9 Majin – Ditën e Fitores mbi Fashizmin dhe Ditën e Evropës, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës në luftën kundër fashizmit.

Në një komunikatë për media, organizata ka theksuar se mbi 50 mijë luftëtarë nga Kosova morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërsa mbi 6200 ranë dëshmorë në luftën për çlirimin e vendit, transmeton Zeri.info.

Sipas tyre, rreshtimi i shqiptarëve në anën e aleatëve antifashistë dëshmoi përkushtimin ndaj lirisë, drejtësisë dhe vetëvendosjes.

“9 Maji është një datë me rëndësi të veçantë për popullin shqiptar të Kosovës. Kjo datë simbolizon fitoren ndaj fashizmit, por edhe sakrificën e brezave që luftuan për liri dhe dinjitet kombëtar”, thuhet në komunikatë.

Organizata ka theksuar se Dita e Evropës simbolizon paqen, unitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve evropianë, ndërsa për qytetarët e Kosovës përfaqëson aspiratën për integrim në familjen evropiane dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike.

Në komunikatë është përmendur edhe lufta çlirimtare e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mbështetja e NATO, të cilat, sipas tyre, forcuan idealet e lirisë dhe çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në fund, Organizata e Veteranëve të LANÇ-it ka shprehur mirënjohje për të gjithë dëshmorët dhe veteranët që kontribuuan në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë./Zëri