KQZ: Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë
Foto: Laura Hasani

KQZ: Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

Aktuale May 11, 2026 - 15:16

Ende asnjë prej 27 subjekteve politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nuk e kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i tha gazetës Express se deri në orën 14:00 nuk pati asnjë listë të dorëzuar.

“Deri tani (e hënë, 11 maj 2026, ora 14:00) asnjë nga 27 subjektet politike nuk ka dorëzuar online listën e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Elezi njoftoi se ka përfunduar periudha për subjektet politike që ta njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve. Ai tha se “numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”.

Pas përmbylljes së procesit të certifikimit, KQZ-ja pritet të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje (1 – 7 maj) janë:

Partia Socialdemokrate;

Kosovaki Nevi Romani Partia;

Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve;

Za Slobodu Pravdu i Opstanak;

Srpska Lista;

Yenilikçi Türk Hareket Partisi;

Lidhja Demokratike e Kosovës;

Fjala;

Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës;

Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK;

Socialdemokratska Unija;

Jedinstvena Goranska Partija;

Kosova Demokratik Turk Partisi;

Nova Demokratska Stranka;

Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës;

Kosovski Savez;

Partia Balliste;

Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale;

Partia Liberale Egjiptiane;

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;

Stranka Demokratske Akcije; dhe

Partia Demokratike e Kosovës.

Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit (1 – 7 maj) janë:

Demokratska Stranka Bosnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);

Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar); dhe

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja Vetëvendosje).

Nisma qytetare që kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

Slozno Pobedujemo

Kandidati i pavarur që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

Esmir Kasi.