Serweri godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Serweri godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

Aktuale May 12, 2026 - 10:36

Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka ngritur kritika të forta ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se kjo gjykatë nuk ka arritur të përmbushë standardet e drejtësisë që presin qytetarët e Kosovës.

Reagimi i Serwerit vjen pas publikimit të raportit të përgatitur nga Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, i cili evidenton një sërë shkeljesh dhe problemesh serioze në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.

Sipas Serwerit, raporti nxjerr në pah shqetësime të mëdha lidhur me moslirimin nga paraburgimi, pranueshmërinë e provave dhe mungesën e barazisë së armëve mes palëve në proces gjyqësor. Ai paralajmëroi se vendimet e kësaj gjykate mund të kenë ndikim edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ajo që nuk thotë raporti është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveç në Serbi”, ka deklaruar Serweri.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë.

Raporti rreth 100-faqësh është hartuar me kërkesë të Avokati i Popullit i Kosovës dhe trajton mënyrën e funksionimit të proceseve gjyqësore në Hagë, duke evidentuar një numër të madh dilemash juridike dhe shkeljesh procedurale.

Në dokument theksohet se mandati i Gjykatës Speciale ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite. Sipas raportit, fillimisht fokusi ishte te pretendimet për trafikim organesh dhe krim të organizuar, ndërsa më pas proceset janë përqendruar tek akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ekspertët britanikë vlerësojnë se, megjithëse juridikisht gjykata ka mandat të ndjekë edhe persona të tjerë, fokusi pothuajse ekskluziv ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka krijuar polemika të vazhdueshme politike dhe juridike. /klankosova