Haxhiu pret komisionaren e BE-së: Kosova, e përkushtuar ndaj rrugës evropiane

Haxhiu pret komisionaren e BE-së: Kosova, e përkushtuar ndaj rrugës evropiane

Aktuale May 15, 2026 - 12:48

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim komisionaren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë.

“Biseduam për rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, për reformat që duhet të çohen përpara dhe për rëndësinë që procesi i zgjerimit të jetë i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita”, ka theksuar Haxhiu, njofton Zyra për Informim e Presidencës.

Ajo ka thënë se Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë orientim si projekt shtetëror dhe zgjedhje strategjike të qytetarëve.

Sipas saj, pritet që përkushtimi i Kosovës ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane të gjejë përgjigje të qartë edhe nga Bashkimi Evropian.

Haxhiu e ka falënderuar komisionaren Kos për vizitën dhe angazhimin në procesin e zgjerimit, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së.