Kurti premton reformë pensionale: Pensionistët do të kenë trajtim meritor
Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Mushtisht, ka zhvilluar një bashkëbisedim me pensionistët në konakun e tyre, ku foli për projektet dhe mbështetjen që qeveria e tij ka ofruar për këtë kategori.
Kurti theksoi se pensionet ishin 90 euro kur morën qeverisjen, ndërsa gradualisht janë rritur fillimisht në 100 euro, më pas në 120 dhe aktualisht në 150 euro. Ai rikujtoi gjithashtu se pensionistëve u janë ndarë gjashtë herë shtesa të njëhershme nga 100 euro.
Sipas tij, qeveria është përpjekur që buxheti të shpërndahet në mënyrë të barabartë për të mbështetur secilën kategori shoqërore, duke vënë theksin tek ata që kanë më së shumti nevojë.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm do të ndërmerret edhe reforma pensionale, për të siguruar, siç tha ai, trajtim më dinjitoz dhe meritor për pensionistët.
“Qeverisja jonë mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për mirëqenie dhe drejtësi”, u shpreh Kurti.