“Për gjuhën tonë” – Studentët shqiptarë nesër sërish protestojnë në Shkup
Studentët shqiptarë në Shkup kanë paralajmëruar një protestë të re, e cila do të mbahet nesër, më 18 maj 2026, në orën 16:30.
Protesta organizohet me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, por që kësaj radhe është paralajmëruar zgjerim i kauzës së tyre.
Ajo do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve.
“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në njoftimin e studentëve, ku theksohet rëndësia e mbrojtjes së përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.
Organizatorët kanë thënë se protesta e parë kishte nisur si reagim ndaj pamundësisë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, por gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe probleme të tjera që lidhen me trajtimin e gjuhës shqipe në institucione.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, ka deklaruar se protesta tashmë ka marrë karakter më të gjerë qytetar dhe bëri thirrje për mobilizim të profesorëve, studentëve, shoqërisë civile dhe faktorëve politikë shqiptarë.
“Mesazhi fillimisht ishte i orientuar rreth një problemi teknik që kishte të bënte me përmirësimin e procesit të studimeve, por më pas u zbuluan shumë probleme të tjera dhe tani kjo është shndërruar në një protestë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. Edhe unë mendoj që të gjitha shtresat e shoqërisë civile, profesorët, nxënësit, faktorët politikë dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë të bashkuar. Gjuha jonë duhet të na bashkojë e jo të na ndajë. Në fund të ditës, të gjithë të njëjtin hall e kemi”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit, protesta do të mbahet të hënën duke filluar nga ora 16:30. Tubimi do të nisë tek Ura e Gurit në Shkup, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë nëpër qytet.
Përkrahje për protestën kanë shprehur edhe politikanë shqiptarë nga opozita në Maqedoni të Veriut, si dhe parti e figura politike nga Kosova dhe Shqipëria.